Shkruar nga Engjëll GJOLAJ
Një emër i njohur i futbollit lezhjan, një nga protagonistët e viteve të arta të Besëlidhja, rrëfen me nostalgji periudhën kur skuadra u ngjit në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për Dodë Zefin, një prej futbollistëve që ka lënë gjurmë në historinë e klubit.
Profili
Dodë Zefi ka lindur më 15 shkurt 1943 në Shkrel (Fushë-Lugje), me origjinë nga Zagora. Të parët e tij kanë zbritur rreth 250 vite më parë në Ishull-Shëngjin, ku ai banon edhe sot.
Karrierën futbollistike e nisi në vitin 1958 me të rinjtë, ndërsa më pas veshi fanellën e skuadrës “Fitorja” dhe te Besëlidhja. Në vitin 1961 kaloi në ekipin e parë, duke kontribuar për 14 vite me radhë me fanellën lezhjane. Doda ka folur me kënaqësi për Gazeta “Shkodra Sport” rreth kujtimeve të karrierës së tij.
“Ngjitja në Kategorinë e Parë, moment i paharrueshëm”
– Çfarë kujtimesh ruani nga ato vite?
“Kam shumë kujtime, por nuk do ta harroj kurrë ngjitjen e Besëlidhjes në ish-Kategorinë e Parë. Fituam në Tiranë ndaj Studentit me rezultatin 3-2. Golat u shënuan nga Durim Tabaku dhe Hysni Skënderi, dy sulmues shumë të mirë. Ishte një kënaqësi e madhe për ne dhe për tifozët lezhjanë. Edhe sot, në këtë moshë, emocionohem kur e kujtoj. Besëlidhja është skuadra e zemrës.”
Shokët e skuadrës dhe trajnerët
– Cilët futbollistë kujtoni nga ajo periudhë?
“Po e nis me portierët: Kole Loshi dhe Sander Preçi. Më pas Hajrulla Haka, Skënder Laçi, Dush Pllumi, Mihal Çoni etj.
Ndër sulmuesit më të spikatur ishin Durim Tabaku, Refik Allabaj dhe Sulo Balla.
Sa u përket trajnerëve, kam punuar me Xhabir Dibrën, Nush Radovanin, Nosh Çukën, Qemal Veselin dhe Cuf Pelingun.
Me ardhjen e Isuf Pelingut ndryshuan shumë gjëra, pasi ai preferonte lojtarë të ardhur nga rrethet e tjera. Pas një mosmarrëveshjeje u larguam nga ekipi unë, Refiku, Gjini dhe Kola. Më pas erdhi një brez tjetër me Bicin, P. Dedën, Gj. Gegën etj.”
Udhëtimet e vështira dhe fushat pa bar
– Një moment i veçantë nga e kaluara?
“Për të luajtur në Tropojë kundër Valbonës, fillimisht udhëtonim drejt Tiranës, ku duhej të flinim në hotel, sepse nuk kishte autobus direkt për Tropojë. Niseshim të enjten dhe ktheheshim të martën. Ishin sakrifica të mëdha.”
– Fushat më të vështira?
“Me sinqeritet them: në Tropojë, Kukës e Peshkopi. Fushat ishin pa bar dhe shumë të vështira për të luajtur.”
Admirimi për futbollin gjerman
– Një pyetje për futbollin botëror?
“Ndoshta jam pak i veçantë. Blej çdo ditë gazeta sportive dhe lexoj kryesisht për futbollin gjerman, për Bayern Munich dhe Kombëtaren gjermane, si dhe për të ndjerin Franz Beckenbauer. Kam një koleksion të madh gazetash sportive që i ruaj me shumë kujdes. Jam tifoz i Gjermanisë.”
Besimi për Besëlidhjen e sotme
– Mendimi juaj për Besëlidhjen aktuale?
“Kam shumë besim se do të ngjitemi një kategori më lart. Skuadra është përmirësuar me ardhjen e presidentit Fusha dhe sekretarit të klubit Renato Malota, i cili ka eksperiencë me ekipet e Superiores. Sot duhet investim serioz në futboll.”


