Ish-mbrojtësi i Liverpool-it, Jamie Carragher, ka lavdëruar kapitenin e Sunderland-it, Granit Xhaka, duke e cilësuar mesfushorin shqiptar me pasaportë zvicerane si blerjen më të mirë të sezonit në Premier League.

Xhaka zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse në barazimin 1–1 të Sunderland-it me Everton-in të hënën në mbrëmje, duke shënuar menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë për të barazuar golin e Iliman Ndiaye, i cili kishte shënuar një gol të bukur në pjesën e parë në “Stadium of Light”.

Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Zvicrës u shpall “Lojtari i Ndeshjes” për paraqitjen e tij, duke vazhduar të tregojë ndikimin e madh që ka sjellë te “Macet e Zeza” që prej transferimit të tij.

Duke folur para ndeshjes, Carragher tha se ish-‘ylli’ i Bayer Leverkusen ka transformuar mesfushën e Sunderland-it dhe është një nga përforcimet më të spikatura në ligë këtë sezon.

“Ai duhet të jetë përforcimi i sezonit,” tha Carragher për Sky Sports.

“Kur mendon për një lojtar që është vendimtar për ekipin e tij… po e quaj Manchester City-n ekipin e Erling Haaland-it, por a është dikush aktualisht në Premier League që po ndikon më shumë në klubin e tij sesa Granit Xhaka? Nuk besoj. Një transferim absolutisht fantastik deri tani.”

Pas vërshëllimës së fundit, legjenda e Liverpool-it shtoi:

“Sipas mendimit tim Xhaka ishte thjesht fantastik edhe një herë. Jo vetëm për golin, por ishte mbi pothuajse të gjithë të tjerët në fushë sonte.”

Xhaka, 33 vjeç, zhvilloi 297 ndeshje me Arsenalin nga viti 2016 deri në vitin 2023, përpara se të transferohej në Gjermani te Bayer Leverkuseni, ku luajti rol kyç në fitimin e titullit të Bundesligës nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso.