Ryan Giggs beson se “lojtarët e mëdhenj janë duke u kthyer” për Manchester United, nën drejtimin e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer. Veçanërisht Paul Pogba dhe Marcus Rashford po e shfaqin më së miri potencialin e tyre.

Përçarjet mes lojtarëve dhe Jose Mourinhos e kishin kthyer në një “fushë të minuar” stadiumin “Old Trafford”, teksa ekzistonte një paaftësi kolektive për të përmbushur pritshmëritë. Shkarkimi i portugezit dhe emërimi i Solskjaer ka ndihmuar në freskimin e gjërave.

Manchester United ka marrë pikët maksimale në dy ndeshjet e fundit. Pogba dhe Rashford janë kthyer në mesin e golashënuesve, ndërsa David de Gea e ka mbajtur të pastër portën. Giggs sheh një ndryshim për mirë në “Old Trafford”.

Legjenda e “Djajve të Kuq” i tha MUTV, pas fitores 3-1 ndaj Huddersfield: “Ishte ndeshja e parë në shtëpi për Ole si trajner. Gjithçka shkoi pozitivisht. Performanca dhe rezultati ishin të kënaqshme. Mendoj se të gjithë e prisnin këtë kthesë të skuadrës. Lojtarët e mëdhenj janë duke u kthyer si të tillë.

Pogba me golat e tij, David me formë të shkëlqyeshme në portë dhe Marcus po bëhet gjithnjë e më i mirë në çdo lojë. Ka një pozitivitet të vërtetë rreth skuadrës. Tani kemi nevojë për një tjetër konfirmim pozitiv në ndeshjen me Bournemouth, të dielën. Solskjaer ka pasur një ndikim mahnitës, që nga momenti i ardhjes si trajner.

Unë e njoh mirë atë. Ishte gjithnjë i qetë, besonte në aftësitë e tij. Eshtë një djalë i këndshëm. Gradualisht ka krijuar më shumë eksperiencë. Kur ka pasur atë lëndim, që e la jashtë fushave, sa ishte futbollist, ai mbante shënime për gjërat që Sir Alex Ferguson do të bënte. Që atëherë besoja se do të bënte një punë të mirë si trajner”./telesport/