Hoakin Sançez Rodriguez, i njohur nga të gjithë thjesht si Hoakin, do të vazhdojë me futbollin e luajtur për të rritur edhe më shumë statusin e tij si një legjendë në Spanjë.

Mesfushori, pjesë e Betis Seviljes, ka rinovuar me klubin në fjalë edhe për një tjetër edicion, duke bërë realitet premtimin që kishte dhënë para shumë kohësh se do të luante deri në moshën 40-vjeçare me këtë skuadër.

Në fakt, mosha nuk duket se është një faktor ndikues për Hoakin, i cili vazhdon të luajë dhe të jetë një nga figurat më përfaqësuese të klubit. Kapiteni u kthye nga radhët e Fiorentinës në një nga momentet e vështira dhe kontribuoi jo vetëm në fushën e lojës, por edhe duke blerë aksionet e Betis në momentin kur ai ishte në vështirësi financiare.

Ndaj ai është edhe bashkëpronar në skuadrën ku luan, e ku është kthyer në një nga idhujt e tifozerisë. Gjatë karrierës së tij, ai ka regjistruar rekorde të panumërta të cilat do të ketë mundësinë t’i përmirësojë në edicionin e ardhshëm, kur të veshë përsëri fanellën e skuadrës së tij. /.vipsport/