Milani është në urgjencë të plotë sa i përket reparti të sulmit ndaj edhe Igli Tare është vënë në lëvizje që të mbyllë brenda dy ditëve të ardhshme firmën e Niklas Fyllkrug, për të bërë të mundur transferimin e tij nga Uest Hemi në radhët e kuqezinjve.
Sulmuesi gjerman ka rënë dakord dhe vetë klubi anglez në parim është gati për të firmosur dokumentet për të bërë të mundur transferimin. Ndërkohë, nga Federata Italiane ka ardhur një lajm tjetër i mirë për Milanin, pasi sulmuesi do të debutojë shumë më shpejt se sa mendohej.
Fillimisht ishte planifikuar që ai të luante ndeshjen e parë më datë 8 janar, atë ndaj Xhenoas. Por tashmë bëhet e ditur se lojtari mund të luajë që më 2 janar ndeshjen ndaj Kaljarit. Më datën 2 janar është hapja e merkatos dimërore në Itali dhe teorikisht në atë ditë do të ishte e pamundur që të depozitoheshin dokumentacionet.
Federata Italiane u ka dhënë një leje speciale dy klubeve në fjalë të cilat luajnë në atë ditë para skuadrave të tjera të Serisë A, duke i mundësuar që të aktivizojnë të gjithë futbollistët me të cilët kanë firmosur për sa kohë që dërgojnë dokumentet deri në orën 16:00 të asaj dite.


