Dy fitore një vit më parë dhe dy fitore edhe sivjet por në të dy rastet, kampionia e Shqipërisë nuk ka fituar të drejtën për të kaluar në turin e dytë të “Champions League Women”.

Trajneri Nikolin Leka pas kthimit të ekipit nga Bosnja ku luajti ndeshjet e këtij edicioni, në një prononcim për “Shkodra Sport” e vlerëson si shumë pozitive paraqitjen e fundit.

“Duhet të jemi të kënaqur me atë çfarë kemi dhënë. Në dy ndeshjet e fundit kemi dominuar ndaj kundërshtarit duke i fituar ato. Në fakt këtë premtim kemi patur edhe në ndeshjen e parë ndaj skuadrës vendase.

Për fat të keq, gjërat në atë takim nuk shkuan si duhet. Tek vajzat tona ndikoi disi edhe lodhja e rrugës dhe përpos kësaj, na u krijuan edhe disa probleme të tjera që na ndëshkuan.

Pas golit të parë të pësuar nga Sarajevo, kemi tentuar të barazojmë dhe në momentin tonë më të mirë, kemi pësuar edhe golin e dytë në fundin e pjesës së parë. Në të dytën sërish tentuan por ishim të pafuqishëm.

Megjithatë kemi patur edhe disa dëmtime të cilat u reflektuan në lojë. E përgjithshmja është se paraqitja jonë në total ka qenë shumë e mirë. Kemi fituar dy ndeshje ndaj ekipeve kampione të Estonisë dhe Moldavisë.

Kjo është e njëjta gjë sikur të kishim kaluar dy ture dhe të ishim ndalur tek i treti në rrugëtimin tonë”- ka deklaruar ai. Vjet shumë pranë, edhe sivjet e njëjta gjë.

I pyetur nëse vitin e ardhshëm do jetë “e treta e vërteta” për kualifikimin e shumëpritur, trajneri Leka shprehet: “Pse jo.

Niveli i këtij ekipi dhe i këtyre vajzave po vjen duke u rritur nga viti në vit dhe për këtë arsye, do të tentojmë të hedhim hapin e rëndësishëm të kalimit të turit në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm”.
© shkodrasport.com