Tjetër fitore për Vllaznia U19 dhe ajo vazhdon të kryesojë tashmë e vetme renditjen pas ndeshjeve të javës së 21-të të kampionatit.

Mesditën e sotme ajo ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Partizanit në takimin e luajtur në fushën “Reshit Rusi”, ku të tre golat e ndeshjes janë shënuar në pjesën e parë.

Në fillim ka qenë mbrojtësi Elmir Lekaj ai që në minutën e 16-të ka kaluar ekipin shkodran në avantazh. Miqtë nuk u pajtuan me disavantazhin dhe në minutën e 30-të kanë arritur të barazojnë me anë të Çelës.

Barazimi i miqve ka zgjatur vetëm tetë minuta sepse më pas ka qenë Akileu Ndreca që ka shënuar golin e dytë dhe të fundit të këtij takimi.

Pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk ka patur gol tjetër. Përfundimisht 2-1 për Vllaznia U19 e cila me këtë fitore ngjitet në kuotën e 52 pikëve, duke qenë tashmë e shkëputur dy pikë nga Shkëndia e vendit të dytë, e cila sot barazoi 1-1 ndaj Internacional.
© shkodrasport.com