Pjesë e stafit të Thomas Brdariç është edhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi. Ai ashtu si gjithë të tjerët, është mërzitur paksa për barazimin me Kastriotin, megjithatë ka dëshirë të shohë përpara. Flet me entuziasëm për mënyrën si punohet aktualisht te Vllaznia ndërkohë që duke u ndalur tek barazimi i fundit, ai shprehet:
Të them të drejtën nuk kam qenë i interesuar se me sa mungesa ishte Kastrioti përballë nesh, por përpos 5 mungesave që ai paska pasë, por besoj se në këtë ndeshje ka pasë një prurje të re që për mendimin tim ishte arbitri Kridens Meta, bashkë me dy ndihmësit e tij, që ndikuan jashtëzakonisht shumë në rezultatin e ndeshjes.
Pretendimet tona? Vërtetë krutanët mund të pretendojnë për një 11-metërsh në favor të tyre, por të mos harrojmë se ishin edhe dy 11-metërsha të padhën në favorin tonë. Pastaj është një fundore e Gurishtës që arbitri e ndaloi për faull duke na hequr mundësinë për të shënuar dhe jo vetëm kaq, por edhe duke mos e ndëshkuar lojtarin e Kastriotit me të dytin e verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin.
Pa përmendur një faull të dukshme në hyrje të zonës ndaj Demir Imerit e për të mos u ndalur shumë tek vonesat e shumta të lojës me dashje nga lojtarët e Kastriotit dhe të pandëshkuara. Këto nuk janë justifikime për hapin falls që ne bëmë. Megjithatë jemi brenda objektivit tonë dhe do të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.
Kuptohet që jemi të vendosur për të ecur përpara, pavarësisht se mund t’i kemi prishur llogaritë dikujt që kishte shpenzuar shumë për merkaton, por tani nuk po i dalin llogaritë dhe kuptohet që nuk i vjen mirë kur sheh Vllazninë të shkëputur në krye”- është shprehur Lekiqi.
Ai duke qenë trajner i portierëve tek Vllaznia ka folur edhe për këtë repart, duke thënë: “Zogoviç është një portier karrierë dhe nga mënyra si luan, është një ndihmë e madhe për skuadrën. Kuptohet që edhe ai ulje- ngritjet e tij si çdo futbollist tjetër.Jemi ekipi i dytë që kemi pësuar më pak gola dhe padyshim që bashkë me gjithë skuadrën ka meritë edhe Zogoviç. Te mos harrojme qe te gatshem kemi edhe Kristi Qarrin, nje portier me shume te ardhme”.
Lekiqi ndërkohë është pyetur edhe në lidhje me ndeshjen e rradhës, atë të së dielës në Elbasan ndaj Partizanit të vendit të dytë, për të cilën ka deklaruar:
“Ndeshje të tilla janë me shumë vlerë dhe kuptohet që nuk është shumë e nevojshme t’ua kujtosh futbollistëve rëndësinë e saj. Shpresoj që ata të jenë në ditën e tyre më të mirë, sepse janë stërvitur mirë gjatë gjithë kësaj kohe, janë stërvitur me seriozitet. Unë vetëm dua që ata të jenë në ditën e tyre më të mirë dhe nëse është kështu, atëherë jam i bindur se Vllaznia do të dalë me fitore nga kjo ndeshje”./SHKODFA-SPORT.COM/