Volejbollisti shkodran Ditmir Rrashketa bashkë me shkodranin tjetër Anton Qafarena kanë qenë dy përforcimet e ekipit të Studentit në pjesmarrjen e tij në “Challenge Cup” teksa kanë zhvilluar edhe ndeshjen e parë ndaj ekipit serb Spartak Ljig. Megjithë përpjekjet e këtyre dy sportistëve por edhe të tjerëve, miqtë kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0. Në fatin e kësaj ndeshje kanë vendosur shumë gjëra sipas volejbollistit shkodran.

“Dy setet e para ishin shumë të dobëta nga ana jonë dhe nuk arritëm të ngjitemi dot në lartësinë e kundërshtarit që kishte një ekip shumë të mirë, lojtarët e të cilit nuk e humbnin kollaj topin. Në setin e tretë u munduam të bëjmë diçka më shumë por pa arritur ta marrim atë.Një humbje e pritshme në fakt, pavarësisht dëshirës së madhe për të bërë ndonjë surprizë por duhet ta pranojmë se ekipi serb ishte shumë i përgatitur. Ne luajmë një apo dy ndeshje ndërkombëtare në vit ndërsa kundërshtari zhvillon 50 ndeshje. Diferencat janë të mëdha dhe prandaj nuk mendoj se do të ketë ndonjë surprizë të mërkurën e ardhshme në Beograd në ndeshjen e kthimit”‘- ka thënë Rrashketa për shkodrasport.com. Ai ka luajtur edhe në sezonet e kaluar me Studentin dhe e njeh lojën e këtij ekipi ndërkohë që vetë Rrashketa vlerëson së tepërmi edhe lojën që ka zhvilluar bashkëqytetari i tij Anton Qafarena që ishte edhe ai pjesë e Studentit në ndeshjen e djeshme. “Ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Anton Qafarena besoj se ka për të qenë një nga volejbollistët më me të ardhmen në vendin tonë”- ka thënë ai për të. Të dy sëbashku janë rikthyer në Shkodër, për t’iu bashkuar sërish Vllaznisë sepse nesër kanë ndeshjen e rradhës për kampionat me Skënderbeun. Me ardhjen e Rrashketës në fakt, pretendimet e ekipit shkodran janë rritur këtë sezon megjithatë vetë ai, mendon se kjo nuk është e mjaftueshme. “Fryma e grupit këtë sezon duket shumë e mirë. Ka shumë dëshirë për të bërë gjëra më të mira se në sezonet e kaluar por është herët për të thënë se çfarë do arrijmë. Nisja që i bëmë kampionatit nuk ishte e mirë sepse gabuam ndaj Farkës, por ai gabim mendoj se u bë mësim për të gjithë ne. Objektivi është i qartë, për ta mbyllur këtë vit në mes ekipeve më të mira të kampionatit”- ka thënë 24 vjeçari. Megjithatë kur e ngacmojmë nëse Vllaznia do të mundet të arrijë atë që se ka arritur asnjëherë, të shpallet kampione e Shqipërisë, Ditmit përgjigjet: “Të dalësh kampion nuk është e lehtë sepse duhet mbledhur bashkë shumë faktorë. Ne duhet ta çojmë ekipin në fund të këtij viti në vendet e para. Pastaj, me shpresën se mund të vijë ndonjë sponsorë dhe bashkë me të edhe një apo dy volejbollistë cilësorë, atëherë po, mund të pretendojmë. Kuptohet që nuk do jetë aspak e lehtë. Detyra kryesore është të shkojmë njëherë në finale sepse pastaj aty nis beteja e vërtetë. Tek Vllaznia shoh që ka një frymë optimiste dhe pse jo, të mos shpresojmë deri në fund”. Nesër në orën 12.00 ekipi shkodran do të zhvillojë ndeshjen e rradhës me Skënderbeun dhe kuptohet që objektivi është i qartë, për ta fituar atë dhe për të synuar vetëm vendet e para në renditje.
© shkodrasport.com