Largimi i trajnerit malazez Nenojsha Grabrz vazhdon të dhurojë polemika tek Vllaznia. Pavarësisht deklaratës së trajneres tjetër Sadije Gogaj tre ditë kur thoshte se trajneri malazez është larguar vetë, këtë e mohon edhe kapitenia e këtij ekipi Ana Gjelaj. Duket se edhe ajo ka patur mosmarrëveshje me trajneren Gogaj dhe për këtë arsye ka braktisur ekipin. Të gjitha këto Gjelaj i ka bërë të ditura në një intervistë për shkodrasport.com kur ka shpjeguar gjithçka ka ndodhur dhe pse ka braktisur stërvitjen. “Në fakt unë ka më tepër që një javë që nuk marr pjesë në stërvitjen e ekipit të Vllaznisë dhe kjo ndoshta ngaqë unë kam patur një marrëveshje me drejtorin e klubit Vllaznia, z. Mark Kroqi sipas të cilës, unë do të isha pjesë e ekipit deri në momentin që në krye të tij të ishte trajneri malazez.

Normalisht trajneri kishte ardhur për të punuar deri në dhjetor fillimisht por nëse ne do të kishim rezultate të mira dhe nëse do të ofroheshin sponsorë, atëherë kontrata e tij do të shtyhej deri në fund të sezonit, por ai u largua dhe po ashtu edhe unë nuk kam dalë më në stërvitje”- thotë fillimisht ajo. Në fakt për largimin e trajnerit malazez Grabrz ka patur komente të ndryshme ndërkohë që tre ditë më parë, trajerja tjetër Gogaj deklaronte se ai kishte ikur vetë dhe me të nuk kishte patur asnjë mosmarrëveshje. Krejt ndryshe mendon ish- volejbollistja e këtij ekipi dhe njëkohësisht kapitenia e tij Gjelaj kur thotë: “E mira është të pyeten të dyja palët për të dalë në përfundimin pse ka ikur ai. Unë në fakt i kam pyetur të dyja palët, kam patur kontakte me trajnerin malazez edhe pasi ai është larguar dhe e kam falenderuar për punën që ka ba me ekipin sepse të them të drejtën ishte një trajner shumë i mirë dhe për dy muaj punë me ekipin arriti të kishte shumë rezultat dhe ekipi ndryshoi të gjithë parametrat e tij. Për sa i përket problemeve, dua të përmend vetëm pjesën e fundit kur ishim në stërvitje dhe u krijua një debat në mes dy trajnerëve. Trajneri Grabrz natyrisht që u nevrikos nga kjo mosmarrëveshje dhe pa mbaruar mirë seanca stërvitore, na mblodhi të gjitha vajzave dhe na tha: “Vajza ju falenderoj shumë për mikëpritjen por shoh që këtu jo të gjithë më kanë mikëpritur”. Natyrisht ai ka të drejtë të zgjedhë ambjentin se ku do të punojë ashtu si dhe ne sportistet, kemi të drejtë të zgjedhim ku do të luajmë”. Ana Gjelaj prej 10 ditësh është pa stërvitje dhe e pyetur nëse i ka dhënë lamtumirën përfundimisht këtij sporti, ajo përgjigjet: Jo, nuk i kamë dhënë lamtumirën volejbollit, por për momentin i kam dhënë lamtumirën Vllaznisë”.Këto probleme tek ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë kanë bërë që ai ta nise medy humbje kampionatin e ri ndonëse u mendua të ishte në mes 3-4 ekipeve më të mira të këtij kampionati por tani do të jetë vështirë të ndodhë kështu.

 

© shkodrasport.com