I ardhur nga Akademia Vllaznia, Elis Kabuni ka filluar të spikasë tek ekipi i Adës teksa me lojën e tij por më së shumti me golat që po shënon, ka filluar të bëhet faktor. Goli i shënuar javën që shkoi ndaj skuadrës kryesuese të kampionatit- Besëlidhjes, ka qenë i treti për të në këtë kampionat megjithatë sulmuesi shtatëlartë i ka të qarta objektivat e tij. “Dua të shpallem golashënuesi më i mirë i kategorisë së parë këtë sezon”- ka thënë ai për shkodrasport.com. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse në këtë kategori ka disa sulmues të mirë. Aktualisht renditjen e golashënuesve më të mirë e udhëheq serbi Bajiçi Besëlidhjes me 5 gola por Kabuni e ka të qartë atë se çfarë kërkon.

Tek Ada është bashkuar me trajnerin Ilir Dibra që e ka stërvitur gjatë gjithë verës tek Vllaznia dhe duke qenë se ia njeh të gjitha vlerat, ky është një plus më tepër për të. Por përveç kësaj, Kabuni po punon shumë edhe në stërvitje sepse e ka kuptuar që vetëm përmes stërvitjes, mund të ecë përpara. Për 19 vjeçarin, Ada do jetë vetëm një trampolinë sepse ai sigurisht që ka objektiva të tjera në karrierën e vet e këtë e bën të qartë edhe në prononcimin e tij kur thotë: “Tek Ada kam ardhur për të luajtur sa më shumë dhe kuptohet për të rënë në sy me lojën time sepse objektivat janë të luajë sa më shpejt me një skuadër tjetër në Superligë dhe pse jo, që në janar”. Me golat që ka shënuar, është kthyer në faktorin kryesor të velipojakëve në sulm. Vetë Kabuni është i bindur se skuadra ka mundësi të bëj shumë më tepër dhe për këtë shton: “Mendoj se i kemi mundësitë që të marrim pikët e mjaftueshme që mos ta mbyllim fazën e parë në zonën e ekipeve që bien nga kategoria. Për këtë arsye, sigurisht që do të kërkojmë fitoren në çdo ndeshje, duke nisur nga takimi i javës së ardhshme me Erzenin që do të luajmë në fushën tonë”.

Gjon GJEKA