Ermir Lenjani ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes së Kombetares kundër Islandës dhe Moldavisë, të vlefshme për eliminatoret e Europianit.

Mesfushori kuqezi pati një përplasje në distancë me ish-trajnerin Christian Panuçi, i cili nuk e grumbulloi në takimet e mëparshme. Një erë e re duket se ka nisur me teknikun e ri, Edi Reja, që nuk ka hezituar ta ftojë për dy sfidat e radhës. Në fjalën e tij para gazetarëve, Lenjani u shpreh:

“Mendoj që s’dua të flas shumë për atë letër ndaj ish trajnerit, gjithë i kanë lexuar çfarë kam menduar. S’dua të flas për Panuçin. Shumë i vështirë ishte momenti kur thashë se s’do të vija në Kombëtare. Më ka ardhur shumë inat kur s’më ftoi. S’mund të bëhet ai më shqiptar se mua.

E kam pasur personalisht me atë sepse e kam pasur fanelën veshur deri tani. As unë s’e kam kuptuar Panuçin, sepse kam bërë ndeshje të mira. Jam aktivizuar në 26 ndeshje. Nuk dija as unë çfarë të bëja në atë moment. Çfarë ndodhi me Panuçin, e kam shkruar.

Trajneri i ri? Jemi takuar disa lojtarë, unë, Taulanti, Arlindi. Kemi pasur një bisedë shumë të mirë me trajnerin, i cili na ka thënë mendimin që ka për ne.

Pozicioni në fushë? Secili trajner ka mendimin e tij dhe siç do të luajë. Unë kam qejf të luaj nga mbrojtës i majtë, por edhe ofensiv. Për mua s’ka problem, si pas, ashtu edhe para. Kam luajtur edhe si sulmues. Personalisht më pëlqen të luaj si mesfushor i majtë.

Ndeshjet? Ndeshja me Islandën do të jetë vendimtare. Do të jetë mjaft e vështirë dhe do shohim se çfarë ndodh më pas me Moldavinë. Unë mendoj se momentalisht Islanda është pak më e dobët. Si ekip ata janë shumë të fortë, kjo dihet. Kanë 2-3 lojtarë që luajnë në kampionate të forta.

Tifzoët? E rëndësishme është t’i gëzojmë shqiptarët anë e mbanë botës. Të japim maksimumin”, ka përfunduar në fjalën e tij, Ermir Lenjani./newsport/