Gjeografia e futbollistëve me origjinë nga Shkodra që po rriten nëpër vende të ndryshme të Europës dhe Botës, po shtohet gjithnjë e më shumë. Sot do të ndalemi tek një lojtar i talentuar që po rritet në futbollin gjerman.
Ai është Leon Mani, i cili ka lindur në Gjermani më 15 tetor 2004 (pra neser mbush 16 vjeç), me prindër nga Shkodra dhe po spikat çdo ditë e më shumë në futbollin e moshave të këtij vendi.
Luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe mbrojtësit të krahut, është i gjatë 1.80 metra dhe është pjesë e ekipit FC Hennef 05 i cili do të marrë pjesë sivjet në Bundesligë për këtë moshë.
Leon e ka nisur futbollin tek Tus Winterscheidt me të cilin ka luajtur në moshën 10-12 vjeçare, ndërsa prej katër vitesh është pjesë e ekipeve të Akademisë FC Hennef 05, me të cilët ka bërë paraqitje të shkëlqyera dhe jo më kot, i kanë dhënë edhe shiritin e kapitenit të ekipit U17, ndonëse është një ditëlindje më të vogël.
Përpos të gjitha këtyre gjërave, futbollisti me origjinë nga Shkodra ka filluar një sezon të shkëlqyer këtë aktualin në Bundesligë dhe pas 3 javëve të para të kampionatit është nominuar për çmimin e lojtarit më të mirë pas 3 javëve të para të kampionatit.
Nga sektori i ekipeve kombëtare në FSHF ka patur sinjale për grumbullim me kombëtaren U17, por nga ana tjetër, Leon Mani është grumbulluar herëpashere në ekipet kombëtare rajonale të Gjermanisë.
Ky futbollist është shembulli më i mirë që një brez i ri lojtarësh të talentuar me origjinë shqiptare po rriten nëpër Europë dhe kuptohet që duhen mbajtur afër sepse mund të jenë një garanci për të ardhmen e fanellës kuqeblu.
Gjergj KOLA