Trajneri i Vllaznisë Rudi Vata më në fund është “dorëzuar”. Ai e ka pranuar se skuadra që ai drejton nuk është pretendente për të fituar Kupën e Shqipërisë, por nga ana tjetër, ka lënë të kuptohet se nëse ekipi i tij luan fort dhe ashtu siç duhet, nuk do ishte çudi që të shkonte shumë larg. Pse jo edhe në finale të kupës apo dhe ta fitojë atë. Deklaratën e ka bërë në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH mbrëmjen e së dielës teksa e ka pranuar se projekti i tij për të ndërtuar një skuadër pretendente, thuajse ka dështuar.

“Kam kërkuar të kem në skuadër Likën, Balën, Da Silvën dhe Dimon e Bylisit dhe Da Silvën e Apolonisë dhe asnjëri nga këta lojtarë, për një arsye apo një tjetër, nuk janë tek Vllaznia. Kuptohet që në kushte të tilla, më mbetet të përgatis një ekip për të ardhmen sepse shumica e ekipit është e përbërë nga djem të rinj. Kërkova së fundi nga klubi ta mundësonin marrjen e Da Silvës dhe Dimos por klubi duket se ka ato rregullat dhe parametrat financiarë dhe ndoshta edhe kjo nuk bëhet prandaj në kushte të tilla, duhet të shohim përpara. Vllaznia nuk është një ekip pretendent për ta fituar Kupën e Shqipërisë, megjithatë nëse luajmë mirë, nëse kemi një grup solid në skuadër, mund të shkojmë larg dhe unë si trajner, këtë do kërkoj”-është shprehur Vata. Vllaznia e pjesës së dytë ndaj Laçit duket se është ajo skuadër që ai dëshiron të shohë në fushë. Shumëkush pyet, çfarë u tha Vata lojtarëve në pushimin e ndeshjes që solli më pas edhe atë reagim të tyre në pjesën e dytë? Përgjigjen e jep vetë trajneri kur thotë: “U thashë që duhet të luani pa asnjë lloj presioni sepse nuk ka shumë rëndësi çfarë rezultati i ndeshjes por të tregoni vlerat tuaja të vërteta dhe rezultati doli në pjesën e dytë”.

www.shkodrasport.com