Një miqësore shumë interesante do të jetë ajo që do zhvillohet pasditen e së hënës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Vllaznia në basketboll për meshkuj do të ketë përballë një nga ekipet më të mira të Kosovës, pikërisht Trepçen e Mitrovicës. Ky ekip është në vend të parë në kampionatin kosovar të basketbollit, me pikë të barabarta me Prishtinën dhe në rradhët e tij ka shumë sportistë cilësorë. Madje ka edhe basketbollistë amerikanë, çka do të thotë se niveli i tij është shumë i lartë. Ata prej ditësh kanë qenë duke zhvilluar stërvitje në Ulqin por kanë vuajtur mungesën e ndeshjeve miqësore. Nesër ata kthehen për në Kosovë dhe kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të luajtur një tjetër miqësore, pikërisht ndaj Vllaznisë. Marëdhëniet e mira që trajneri shkodran Bledar Gjeçaj ka me drejtuesit e këtij ekipi që prej momentit që ai ka luajtur vetë në Kosovë, e kanë bërë të mundur zhvillimin e kësaj miqësoreje. Djemtë e rinj shkodranë sigurisht që do kenë se çfarë të mësojnë nga kundërshtarët e tyre, pikërisht në prag të fillimit të ndeshjeve të fazës së dytë të kampionatit.

www.shkodrasport.com