Sulmuesi i Bylisit Amarildo Dimo nesër firmos zyrtarisht me Skënderbeun e Korçës. Marrëveshja është mbyllur pasditen e sotme teksa në Ballsh për të ndjekur ndeshjen Bylis- Tirana, ka qenë edhe presidenti i korçarëve Zeqo. Lajmi është konfirmuar pak minuta më parë nga vetë lojtari, sipas të cilit nesër do hidhet firma kur ai të mbërrijë në Korçë. “Po kam rënë dakord që të firmos për Skënderbeun. Më vjen keq që nuk arrita të vij në Shkodër sepse kisha dëshirë të madhe por ajo nuk u bë e mundur ngaqë drejtuesit e klubeve nuk arritën akordin. Megjithatë unë sonte do t’i telefonoj drejtuesve të Vllaznisë dhe trajnerit Vata për t’i thënë faleminderit për konsideratën që patën për mua megjithatë nuk paska qenë e shkruar që unë të luaj për ta”-ka thënë ai ekskluzivisht për gazetën “shkodrasport.com”. Korçarët në fakt i kanë ofruar më shumë lojtarit sesa shkodranët. Nëse tek Vllaznia ai do përfitonte një shumë prej rreth 50 milionë lekësh për një sezon e gjysëm, tek Sëknderbeu ai do përfitojë 55 milionë. Përveç kësaj shume, kjo skuadër ka marrë përsipër edhe pagimin e 15 mijë eurove klubit të Bylisit për prishjen e kontratës, gjë që Vllaznia se bëri. Në këtë mënyrë, tashmë për shkodranët nuk ka më asnjë alternativë tjetër për sulmin. Ata duhet ta mbyllin këtë sezon me Jabllan, Gjinin, Hasanin dhe Erkoçeviç.

www.shkodrasport.com