Robert Levandovski ka barazuar sot një rekord që pakkush mendonte se mund të arrihej përsëri. Sulmuesi polak i Bajern Mynh ka shënuar sot nga pika e bardhë e penalltisë përballë Frajburgut, aq sa i duhej për të çuar në shifrën e pabesueshme të 40 golave bilancin e tij të këtij sezoni në Bundesligë.
Kështu, ai barazoi legjendën e futbollit botëror, Gerd Myler, i cili në edicionin 1971-1972 kishte shënuar të njëjtën shifër duke vendosur një standard që mendohej se ishte i paarritshëm.
Por polaku, pasi e ka ndjekur për shumë sezone, ia ka dalë më në fund që të arrinte këtë rekord dhe ka dashur ta festojë pikërisht duke kujtuar Myler, me një fanellë me foton e tij ku shkruhej “4ever Gerd”.
Bajernit nuk i mjaftoi ky gol për të siguruar fitoren, pasi mbylli ndeshjen me barazimin 2-2, por vendoi një tjetër rekord të pabesueshëm, pasi si në një edicion më parë, ka shënuar në të 34 ndeshjet që ka luajtur jashtë fushe në të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë. Ndërsa Levandovski do të ketë mundësinë që në ndeshjen e fundit të Bundesligës ndaj Augsburg të kërkojë që të bëjë tërësisht të tijin rekordin e golashënuesit më të mirë. /vipsport/