Është mbyllur ditën e enjte afati i dorëzimit të të gjithë dokumentacionit financiar për licensimin e klubeve për kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin 2022-23. Gjatë muajëve të kaluar të gjitha ekipet i kanë plotësuar të gjitha dokumentacionet e kërkuara për të plotësuar 5 kriteret.

I ftuar në emisionin “Skaner”, Menaxheri i Sektorit të Licensimit në FSHF, Eduard Gjini ka zbuluar edhe disa nga ndryshimet që janë bërë për sezonin e ri, ndërsa ka treguar se Tirana dhe Vllaznia kanë bërë hapa përpara për likuidimet në organin tatimor.

“Departamenti i licencimit ka bërë një plan për licencimet për sezonin e ardhshëm të skuadrave shqiptare.

Çdo vit, UEFA sjell rregulla të reja. Ne i reflektojmë ato te klubet e Superiores. Çdo vit ka risi. Rregulli më i ri, është që të gjitha klubet e Superiores, për sezonin e ardhshëm duhet të kenë një skuadër femrash dhe 6 klube moshash.

Në asnjë stadium ku nuk ka ndriçim, nuk do të lejohen ndeshjet e Superiores. Të 10 klubet janë të detyruara ta plotësojnë dokumentacionin.

Çdo gjë është online. Klubet i hedhin bilancet e tyre financiare në portal. Unë i dërgoj në UEFA, ku i kontrollojnë dhe nëse janë në rregull, i pranojnë, nëse jo i kthejnë.

Sa herë shkojmë në UEFA bëjmë takime, na nxjerrin shembuj. Në kampionatin spanjoll janë refuzuar disa licenca, të klubeve lart në renditje dhe në vendin e tyre shkoi Sevilla që renditej e nënta dhe më pas fitoi kompeticionin.

Çdo klub që merr licencën në prill, nuk duhet të ketë asnjë detyrim të prapambetur. Secili klub është i detyruar të sjellë 6 deklarata nga trajneri dhe lojtarët, të cilët duhet të konfirmojnë që janë paguar. Tirana ka bërë një hap cilësor për likuidimet në organin tatimor. Njëjtë edhe Vllaznia”, u shpreh Eduard Gjini./newsport/