Monday, February 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELideri i Vllaznisë, Balaj shfaqet gjithmonë ndaj skuadrave kryesore

Lideri i Vllaznisë, Balaj shfaqet gjithmonë ndaj skuadrave kryesore

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në një sezon ku Vllaznia po synon seriozisht majat e Kategoria Superiore, emri i Bekim Balaj qëndron në krye të listës së protagonistëve. Sulmuesi kryesor i kuqebluve kryeson renditjen e golashënuesve me 12 rrjeta, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si pikë referimi në repartin ofensiv. Në moshën 35-vjeçare, shtatlarti shkodran po zhvillon një nga edicionet më të rëndësishme të karrierës së tij.

“Kur loja bëhet e fortë, të fortët futen në lojë” – një shprehje që i shkon për shtat Balajt këtë sezon. Në duelet më të rëndësishme të kampionatit, ai ka qenë gjithmonë aty, duke marrë përgjegjësinë dhe duke bërë diferencën. Jo thjesht me prezencën fizike, por me instinktin e një goleadori që di të godasë në momentin e duhur.

Ndaj AF Elbasanit, goli i tij ishte thjesht i radhës përballë një prej skuadrave më cilësore të këtij edicioni. Më parë, kapiteni kuqeblu kishte lënë gjurmë edhe në përballjet direkte me rivalët kryesorë për titull, duke shënuar ndaj Egnatias, dy herë ndaj FC Dinamo City, dy herë ndaj Tiranës dhe po dy herë kundër Partizanit. Statistika që flasin qartë për peshën e golave të tij.

Balaj ka treguar se nuk është thjesht një finalizues, por një lider i vërtetë në fushë. Ai udhëheq me shembull, motivon grupin dhe merr përsipër barrën në momentet më delikate. Kur skuadra ka nevojë për të, ai përgjigjet gjithmonë i pranishëm – me gola që vlejnë pikë të arta dhe me një lidership të pakrahasueshëm.

Në një kampionat ku çdo detaj bën diferencën, përvoja dhe klasi i Balajt janë një garanci për Vllazninë. Dhe sa herë që përballë janë rivalët më të fortë, emri i tij shfaqet në listën e golashënuesve, si për të rikujtuar se kampionët e vërtetë lindin për ndeshjet e mëdha.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments