Liga e Kampioneve njeh që tani 8 skuadrat e para të kualifikuara nga grupet përkatëse, të gjithë emrat më të njohur të futbollit europian që presin të mësojnë edhe 8 ekipet e tjera që do të shkojnë në shortin e fazës me eliminim direkt të turneut në mars.
PSG, Bajern Mynih, Mançester Siti, Barcelona dhe Juventus janë tashmë të sigurt për një biletë edhe si kryesuese të grupeve përkatëse.
Ata tani shohin me kureshtje se si do të mbyllen grupet e tjera për të mësuar rivalin, të ndërgjegjshëm që kanë evituar shumë emra të fortë dhe se janë ndër pretendentët kryesorë për të vazhduar më tej.
Rrezik në vazon e dytë do të jenë Real Madrid dhe Totenhem, të dy skuadra të cilat kanë siguruar nga vendi i dytë në grupin përkatës praninë e tyre të mëtejshme në turne.
Ndërkaq, ka edhe një skuadër tjetër që ka siguruar kualifikimin, Lajpcigu, i cili nuk ka ende të sigurt nëse do të jetë në vazon e parë apo në të dytën në short. /vipsport/