Liga e Kampionëve ka ngritur zyrtarisht siparin ditën e djeshme me dy takime të luajta, ndërkohë që sot do të luhen edhe dy takime të tjera. Borusia Dortmundi luan në transfertë ndaj Totenhemit dhe gjatë ditës së djeshme, skuadra ka fluturuar në drejtim të Londrës, aty ku luhet takimi.

Gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë për Dortmundin duke qenë se talenti Jadon Sanço ka harruar në shtëpi pasaportën e tij dhe për të, është kujtuar vetëm në momentin e fundit që ka mbërritur në aeroport.

Natyrisht, pa mjetin identifikues, edhe kalimi në aeroport ka qenë i pamundur dhe vetë futbollisti është detyruar të kthehet në shtëpi për të marrë pasaportën.

Gjatë kësaj kohe, pjesa tjetër e futbollistëve kanë mbaruar procedurat dhe kanë mbetur të bllokuar në aeroport deri në momentin që Sanço është rikthyer. Avioni i ekipit të Dortmundit ka mbërritur me vonesë në Londër, që njëkohësisht është edhe vendlindja e Sanços. /VipSport/