Shumë futbollistë kanë ardhur dhe shkuar tek Vllaznia pas viteve 90. Lojtarë nga thuajse të gjithë kontinentet, por edhe nga shumë vende të Botës. Ka pasur nga ata futbollistë të huaj që kanë lënë edhe gjurmë tek kuqeblutë, por shumica prej të huajve kanë qenë ‘kometa’ tek shkodranët dhe janë larguar vetëm pas pak muajsh zbarkimi në Superligën shqiptare të futbollit.

Një prej tyre është edhe Gianmarco Campironi, i afruar në rradhët e Vllaznisë në sezonin 2014-15. Në rolin e portierit ai pritej që të shpërthente ne Shqipëri përpara se të bënte hapin e madh në karrierën e tij sportive. I rritur dhe zhvilluar në moshat e Milanit në gadishullin Apenin, Campironi ishte afruar në atë edicion tek 9 herë kampionët e vendit nga ekipi i Chiasos në Zvicër.

Qëndrimi i tij në Shkodër do zgjaste vetëm 3 muaj, ku gardiani do largohej në muajin dhjetor nga kuqeblutë pas afrimit në merkaton e verës. Me vetëm 1 ndeshje të luajtur me Vllazninë, italiani u largua pa shumë bujë dhe ndoshta pak kush ose askush nuk e mban mend. Madje me siguri as ish-shokët e skuadrës në atë periudhë nuk mund të kenë ndonjë kujtim me shtatlartin.

Edhe pas largimit nga Vllaznia, aventura futbollistike e Campironit do zhvillohej në nivele të ulëta futbolli. Deri në largimin e tij nga loja aktive në vitin 2020, në moshën vetëm 31 vjeçare.

Aktualisht ai është pjesë e Juventusit dhe akademisë bardhezi. Ai kryen rolin e trajnerit të portierëve tek rekordmenët italianë në akademinë e tyre Juventus Akademi Dubai.
Endri ÇINARI