Mbledhja e radhës e Ligës Profesioniste që është mbajtur ditën e sotme, ka vendosur që për momentin bojkoti të vazhdojë të mbetet në fuqi. Klubet kërkojnë me ngulm plotësimin e kërkesave të tyre.
Mirëpo, nga ana tjetër, presidenti i Ligës, Edvin Libohova, në fjalën për mediat pas mbledhjes është shprehur se në takimin e nesërm me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Parlamentit, nëse këta të fundit do të vijnë me një propozim të pëlqyeshëm, atëherë gjërat mund të ndryshojnë.
Ndërkaq, për t’u theksuar edhe fakti se në mbledhjen e sotme, është vendosur që duke parë mënyrën se si është trajtuar emisioni sportiv në RTSH, i cili nuk është koherent dhe mbështetës për futbollin, Liga të mos përsërisë me ta kontratën e bashkëpunimit për ‘highlights’ në sezonin që do të vijë.
“Liga unanimisht vendosi që bojkoti të vazhdojë derisa qeveria të plotësojë kërkesat. Pika e dytë ishte se duke parë mënyrën se si është trajtuar emisioni sportiv në RTSH, që nuk është koherent dhe mbështetës për futbollin, Liga vendosi që të mos përsërisë me ta kontratën e bashkëpunimit për ‘highlights’ në sezonin që do të vijë. Këto ishin dy vendimet e marra sot.
Sigurisht nëse do të ketë tym të bardhë në takimin e nesërm, qëndrimi do të ndryshojë. Mirëpresim që të zgjidhen problematikat dhe kërkesat tona. Në momentin që ato zgjidhen Liga është e gatshme të nisë futbollin dhe rifillojë garën.
Bisedimet kanë nisur, nuk ka pasur vendimmarrje. Kemi një takim tjetër nesër, shpresoj që përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Parlamentit të vijnë me një propozim të pëlqyeshëm nga Liga. Ndryshe vazhdojmë me këtë situate”.
Përçarja e presidentëve? “10 duan që të mos fillojë dhe asnjë nuk do që të fillojë”, u shpreh Libohova. /VipSport/