Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, insiston se gjyqtari Enea Jorgji ka gabuar në momentin e kontaktit të tij me Hoxhallarin. Në “SuperSport” ai theksoi se kishte kontakt, ndërsa pranoi se në ato moment kishte menduar se ishte brenda zonës.
“Siç e patë edhe vetë për ata minuta, deri në minutën e 60 luajtëm të barabartë. Kështu është futbolli, për dy episode, mospërqendrim, e humbëm ndeshjen.
E quaj pozitiv duke parë që kemi 20 ditë duke bërë stërvitje dhe për një ekip profesionist nuk është normale që të jetë për 20 ditë stërvitja para sezonit. Ekipi ka probleme fizike dhe do na shërbejë ndërprerja e kampionatit, 4 pikë në 3 ndeshje nuk është keq.
Unë kontakt kam pasur, nuk ishte për të thyer këmbën, por paska qenë jashtë zonës, mendoja se ishte në zonë të them të drejtën.
Atmosfera në stadium është e rrallë për kampionatin shqiptar, kjo pjesë nuk ka të bëjë me atë që ne dëshirojmë. Duhet ta kuptoni se ata kishin ardhur me dëshirën të fitonin ndeshjen, nuk është e pranueshme për ne.
Në gjithë botën kur ka derbi e klasike, tensioni është normal te futbollistët, nuk kam parë derbi ku lojtarët janë të qetë. Edhe gjyqtari, nuk dua të justifikohem, por me çfarë mora vesh ishte penalti e saktë e para. Me 1-0 mund të kishte ndryshuar plotësisht rrjedha e lojës, nuk është për justifikim.
Skuadra ka probleme fizike, e dija që këto javë do të jenë të ngjeshura, sforcoja ka qenë shumë e madhe dhe i gjithë ekipi ishte i përqendruar më shumë për rezultate në ndeshje se për pikë.
Nuk është vetëm Zogaj në sulm, nuk kemi emra si Sinani e Salihi që janë të njohur si golashënues. Ne duhet të përqendrojmë lojën te grupi dhe shpresojmë të marrim rezultate pozitive në të ardhmen”, tha Lika. /vipsport/







