E ndjek me shumë vëmendje ecurinë e Vllaznisë dhe natyrisht që i vjen mirë për ecurinë e saj në këtë sezon. Gilman Lika po ashtu, ka edhe ndonjë vërejtje për futbollistët aktualë kuqeblu të cilët nuk duhet ta kenë mendjen tek presioni dhe tifozët, por të vazhdojnë të bëjnë mirë punën e tyre siç e kanë bërë deri tani.

Duke folur në emisionin “Fax Sport”, ish- mesfushori i kuqeblu e konsideron takimin e kaluar me Kukësin si një pikë kthese për Vllazninë.

Ndeshjen me Kukësin do ta quaja si pikë kthese për Vllazninë. Pavarësisht se ajo nuk ishte në maksimumin e saj, sërish tregoi rritje në lojë në krahasim me 6-7 ndeshjes. Unë shpresoj se në ndeshjen e ardhshme, skuadra do të jetë edhe më mirë, do të vazhdojë të krijojë raste, por këtë herë shpresoj që t’i konkretizojnë edhe me gola.

Me gjithë ato raste që krijoi Vllaznia, kisha frikë se do ta pësonte në fund sepse ligji i futbollit kështu e ka, “kush nuk shënon, e pëson”. Nuk ndodhi sepse edhe Kukësi nuk ishte në lartësinë e duhur, pavarësisht se e qarkulloi më shumë topin. Vllaznia ka qenë shumë herë më e rrezikshme me rastet e krijuara.

Trajneri Brdariç mesa shoh, po mundohet të bëjë lëvizjet e duhura për t’i dhënë hapësirë dhe mundësi aktivizimi lojtarëve që janë më në formë. Vllaznia duhet të ecë përpara sepse i ka mundësitë për ta ruajtur vendin e parë.

Futbollistët nuk duhet të thonë se tifozët po na vënë në presion. Në fund të fundit, tifozi është tifoz dhe dëshiron gjithmonë fitoren dhe suksesin. Njëherë të lavdëron, njëherë tjetër të shan, nuk duhet të merresh me tifozët, thjesht duhet të sillen si profesionistë dhe nuk duhet të kesh ndonjë ndikim nga ato.

Nëse këta lojtarë e kanë sjellë Vllazninë deri këtu, duhet të sakrifikojnë për ta mbajtur vendin e parë. Duhet të jenë sa më solidë dhe të gjithë sëbashku mund të arrijnë objektivin që kanë”- është shprehur ish-kapiteni Lika./SHKODRA-SPORT.COM/