Rudi Vata rikthehet të flasë për Vllazninë, duke rikonfirmuar edhe një herë tjetër akuzat ndaj drejtuesve të klubit. “Shpresoj të më hedhin në gjyq, pasi do t’ua çjerr maskën të gjithëve. Edhe ai, drejtori teknik Grima, i cili bënte naivin, u bë pjesë e pazareve. Me mua nuk kishte asnjë shans që t’i luanim Skënderbeut me ekipin e dytë. Do t’i merrja pikë, ashtu siç i bëra Teutës dhe Tiranës”. Këto, por jo vetëm, Vata i rrëfen në intervistën për “Panorama Sport”, nëpërmjet linjës telefonike nga Skocia.

Rudi, me çfarë po merreni aktualisht?
Po pushoj pranë familjes. Kam disa plane në kokë, por ende s’kam vendosur për të ardhmen.
A e keni ndjekur ecurinë e Vllaznisë?
Po, sigurisht. Nuk më vjen keq për asgjë, pasi tani ndihem i çliruar dhe nuk bashkëpunoj me një pjesë të madhe injorantësh që janë te Vllaznia. E ke të vështirë të punosh me ata dhe të sillesh ndryshe, sepse duhet të bëhesh pjesë e pazareve. Janë nevojtarë dhe bëjnë çfarë ju thonë ata nga lart.
Ku doni të dilni?
Po jua them: pazaret kanë filluar që në Pogradec, kur ndeshja u kombinua sipas interesave të drejtuesve. Në një kohë që Vllaznia masakrohej në fushë nga gjykimi, Grima, Shaba dhe Troshani gëzonin për humbjen dhe përgatisnin largimin tim. Të gjithë më pas e panë vetë se çfarë ndodhi në ndeshjen me Skënderbeun.
E keni fjalën për humbjen 2-0 në Korçë?
Po. Thanë që do linin lojtarët pushim, në një kohë që te kjo ndeshje luhej nderi dhe dinjiteti i një klubi të madh si Vllaznia. Më bukur se të luash me titullarët ndaj Skënderbeut, nuk ke me kë luan tjetër. Ishte një skenar, të cilin unë kurrsesi nuk do ta pranoja. Nëse do të isha trajner, do të shkoja në Korçë dhe do merrja pikë, ashtu siç bëra ndaj Teutës, ku fitova dhe indirekt i prishëm punë, por edhe ndaj Tiranës, ku morëm një barazim. Unë nuk do pranoja kurrë të bëhesha pjesë e së keqes.
Legjenda e futbollit shkodran, Rramazan Rragami, ka deklaruar së fundmi se në ndeshjen Vllaznia- Shkumbini ndërhyri politika. Si e komentoni këtë?
Së pari, më lejoni të them se edhe ai, drejtori teknik i Vllaznisë, Grima, i cili bën naivin, u bë pjesë e pazareve dhe humbi gjithçka para popullit të Shkodrës në ndeshjen e turpit me Shkumbinin. Ku është karakteri i Grimës, apo mos ndoshta kështu ka vepruar edhe në të kaluarën!?. Grima me shokë justifikohen se kanë marrë urdhra. Po dinjiteti i atij si trajner ku shkoi?!
Ndërkohë, edhe tifozët dolën hapur kundër klubit…
Më vjen keq vetëm për tifozët. Ata reaguan, por nuk i dëgjoi njeri, sepse drejtuesit e Vllaznisë nuk mendojnë për skuadrën.
Të kalojmë te një çështje tjetër. U përfol se do të ballafaqoheshit për akuzat që keni bërë me administratorin Shaba…
Kjo është e vërtetë, por nuk më njoftuan, edhe pse më 11 maj Shaba ka qenë në FSHF. Madje, edhe ky i fundit ka thënë se nuk është njoftuar, por sipas informacioneve të sigurta që unë kam, ai ka qenë në institucionin e futbollit në atë datë. Kam kontaktuar edhe me njerëz në FSHF dhe pasi ata kanë pyetur në Komisionin e Etikës, si justifikim ka dalë fakti që nuk më kanë gjetur dot numrin e telefonit. Nëse ky komision ka marrë në pyetje vetëm Shabën, atëherë do të thotë që është një mbledhje hipokrizie. Ky komision e ka një qëllim dhe unë jam gati që t’i luftojmë këto fenomene. Nëse FSHF nuk do, atëherë le t’i gëzojë.
I qëndroni akuzave për “fondin e zi” të arbitrave?
Absolutisht po. Duhet të kuptoni diçka, nuk kam bërë unë pas, por klubi i Vllaznisë. Unë prisja që ata të më hidhnin në gjyq, por kjo nuk ka ndodhur. Më kanë bërë një shantazh, ose më mirë le ta quajmë presion, teksa më kanë kërkuar që të tërhiqem nga ato që kam thënë përpara se të largohesha. Kjo ka qenë edhe deklarata e klubit pas akuzave të mia. Mirëpo, unë mezi pres që këtyre njerëzve t’ua çjerr maskat në gjyq. Shpresoj dhe uroj që persona si Grima, Shaba, Troshani, bashkë me kryetarin e Bashkisë, t’i drejtohen Gjykatës për t’u ballafaquar me mua. Dua që diçka të tillë ta bëj edhe një person tjetër aty në klub.
Ju keni ndonjë plan për ta bërë vetë hapin e parë?
E kam edhe një plan B. Jam duke u konsultuar seriozisht me avokatët e mi, sepse pas shkarkimit, klubi ka dhënë një prononcim në lidhje me mua si trajner. Mendoj se më kanë cënuar imazhin, por unë do të bëj hapin e duhur në kohën e duhur. Nuk përjashtohet mundësia që t’i hedh vetë në gjyq. Dua t’ju sqaroj se një nga anëtarët e bordit, kur është firmosur shkarkimi im, më ka thënë se kam hedhur firmën pa ditur se çfarë shkruhet aty. Ky quhet Anketil Rroji. Pra, e mohojnë ata që kanë firmosur.
Çfarë motivesh ju dha klubi për shkarkimin?
Në letrën që mua më ka ardhur në shtëpi nga klubi, ndër të tjera akuzohesha për korrupsion me lojtarët. Kur kam vënë re se aty flitej për punën time dhe vihej në dyshim integriteti im, jam bindur se me këta njerëz duhet ta çoj drejtësinë në vend. Tani shpresoj që të kem një bazë të fortë ligjore, për të vazhduar luftën me këta njerëz. Ata ndoshta mendojnë se kjo çështje kaloi, por unë nuk e lë me kaq. Këtu bëhet fjalë për emrin e Vllaznisë së Shkodrës, por këta njerëz po tallen. Po e trajtojnë skuadrën si të jetë pronë e tyre, ndërsa njerëzit si vegla. Shumë njerëz te Vllaznia janë kthyer në vegla të tyre. Arsyeja pse unë u ndava me ta ishte se këta njerëz kuptuan që me mua nuk kishin shanse të bënin pazar. Opinioni e di se kush është Rudi Vata, ndërkohë këta njerëz në një farë mënyrë janë munduar të shpifin në kurrizin tim. Më kanë prishur imazhin dhe do të kërkoj që kjo të pastrohet, por gjithashtu do të kërkoj edhe dëmshpërblim.

Jorgis MEMO