I ftuar në emisionin Star Sport mbrëmjen e kaluar ishte edhe trajneri i Veleçikut, Haris Lika. Përveç se foli për sukseset e skuadrës së tij, u ndal edhe tek situata e Vllaznisë ku analizoi me detaje kuqeblutë.
Lika u shpreh: “Veleçiku tashmë ka hyrë në rrugën e duhur dhe në atë çfarë ne kërkojmë. Mposhtëm Ilirinë dhe tashmë jemi larg Gramshit me vetëm 1 pikë. Gramshin do e presim pas pushimeve në Koplik dhe me ndihmën e tifozerisë uroj të fitojmë dhe të kapim vendin e parë.
Vllaznia ? Shoh një ekip shumë të çoroditur. Po thonë prej kohësh që nuk funksionon mbrojtja. Por, çdo gjë fillon nga koka, një shishe mbushet me ujë kur i hapet tapa. E njëjta situatë ndodh edhe tek Vllaznia pasi lojtarë të caktuar nga sulmi nuk marrin pjesë fare në fazën mbrojtëse të ekipit.
Kjo bën që sistemi mbrojtës të çalojë. Skuadra nuk po i përgjigjet aspak trajnerit Brdaric në syrin tim dhe duket sikur situata ka ikur nga duart trajnerit.
A rrezikon Brdaric ? Kur drejton Vllazninë je gjithmonë i rrezikuar, por unë jam kundër një largimi të mundshëm të trajnerit. Por, këto javë pushimi të punohet edhe psikologjikisht dhe ekipi të jetë në sinkron me idetë e trajnerit”.
Endri ÇINARI