Kapiteni i Vllaznisë Gilman Lika është i bindur se ndaj Kukësit të premten skuadra e tij do të mundet të marrë në fitore e cila do të ishte në fakt shumë e rëndësishme për ecurinë e saj të mëtejshme në kampionat. Në një prononcim për mediat, mesfushori shkodran vlerëson përgatitjet e bëra si dhe lojtarët e ardhur nga merkatoja. “Mendoj se gjendja e skuadrës është optimale sepse kemi zhvilluar një stërvitje intensive dhe ditët e fundit ndërkohë kemi filluar të mendojmë për sfidën e parë të këtij viti.

E konsiderojmë një ndeshje shumë të fortë megjithatë mezi presim ditën e premte për të dhënë maksimumin dhe shpresojmë për të marrë trepikëshin. Lojtarët që kanë ardhur besoj se e kanë forcuar shumë Vllazninë. Optimizmin për fitore e bazoj tek puna që kemi bërë në stërvitje, cilësia që ekipi ka brenda tij, tek grupi që është në skuadër. Ka shumë arsye për të besuar tek fitorja”- ka deklaruar ai. Ndërkohë, Lika gjithashtu beson se këtë herë nuk do të mungojë as mbështetja e tifozërisë shkodrane të cilët pritet të jenë më të shumtë në numër këtë herë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” prandaj shton: “Shpresoj që tifozët të jenë të shumtë këtë rradhë në shkallët e stadiumit sepse dihet se nëse janë të shumtë, është një plus shumë i madh për Vllazninë, për të arritë tek fitorja.

Normalisht që unë besoj tek fitorja dhe prandaj edhe tifozët duhet të besojnë tek ajo”. Interesimi vërtetë duket më i madh këtë herë dhe ndërkohë nga klubi Vllaznia bëhet e ditur se shitja e biletave do të nisë nga ora 09.00 e paradites të së enjtes. Një nisje e mbarë e kësaj gjysme të dytë të kampionatit, do të ishte diçka shumë pozitive për kuqebutë dhe kjo është ajo që dëshirojnë të gjithë shkodranët.

www.shkodrasport.com