Një nga gjërat që ka krijuar më shumë polemika në këto ditë të para të vitit 2020 ka qenë lista e futbollistëve të Shqipërisë të grumbulluar për ndeshjen e bamirësisë për të mbledhur fonde për tërmetin.

Ish-kapiteni i kuqezinjve, Rudi Vata, mungon në këtë listë dhe e ka akuzuar si një listë qokaxhinjsh. Andi Lila, kryetari i Sindikatës së Futbollistëve, ka mbrojtur vendimin për listën që është ndërtuar.

“Kryesia e Sindikatës vendosi të jenë 20 lojtarë, kriteri ishte një i vetëm, që të ishte një skuadër gjithëpërfshirëse, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Janë 20 emra se nuk dua të harroj asnjë, janë lojtarë që kanë shkruar historinë.

Besnik Hasin e falënderoj se të nesërmen ka ndeshje në Arabinë Saudite, do të luajë ndeshjen e parë do të niset direkt për Turqi, të udhëtojë gjithë natën për Arabinë Saudite për ndeshjen e tij. Është shumë e rëndësishme se janë mbi 150 futbollistë veteranë të kombëtares që e meritonin të ishin në ndeshje, por menduam që të bënim miniseleksionim. Do mendojmë të vazhdojmë përsëri, ndoshta kemi bërë ndonjë gabim se jemi sindikatë e re.

Ish-kapiteni që është një emër shumë i madh, jemi të rinj dhe ndoshta nuk kemi eksperiencën e duhur, me ndonjë rast edhe kemi gabuar. Kështu e menduam këtë herë, në ndeshje të tjera do të përfshihet patjetër. Nuk është punë qokash e asgjë, e bëri kryesia e federatës.

Edhe Ansi Agolli është emër i madh, pse të mos jetë? Jemi të rinj, jemi pa eksperiencën e duhur, por e bëjmë për një kauzë të mirë. Kam shumë respekt për Rudin, ne nuk mund të heqim kontributin e vlerat e asaj që ka dhënë Rudi për futbollin.

Kush jemi ne? Kjo është ndeshje për një kauzë, e pranoj që kemi bërë edhe gabime. Kapiteni? Kemi menduar si kryesi që është një gjithëpërfshirës, të jetë Foto Strakosha”, tregoi Lila. /vipsport/