Liridon Latifi gjeti edhe njëherë rrugën e rrjetës mbrëmë për Vllazninë në ndeshjen kundër Kukësit. Futbollisti nga Prishtina realizoi golin e avantazhit të përkohshëm për kuqeblutë, gol që do arrihej nga Puntus për shifrat finale 1-1. Kjo ishte edhe rrjeta e 5-të këtë edicion për 27-vjeçarin.
Në këtë mënyrë ai është golashënuesi më i mirë i Vllaznisë së bashku me Aralicen në kuotën e 5 golave. Por rrjetat e ish-fantazistit të Skënderbeut kanë qenë gjithmonë vendimtare dhe që kanë sjellë pikë për Vllazninë. Kështu ai ka shënuar në fitoren 3-5 kundër Laçit, duke hapur rrugën e 3 pikëve për Vllazninë pasi do shënonte i pari.
Po ashtu penalltia e tij kundër Egnatias u përkthye në një pikë për Vllazninë në barazimin 1-1. E vlefshme rrjeta e tij edhe në barazimin tjetër 1-1 kundër Teutës që arritën shkodranët. Gjithashtu fitorja 1-0 kundër Partizanit mban firmën e Latifit, pasi goli i tij do kishte vlerën e 3 pikëve.
Edhe mbrëmë goli i numrit 7-të solli një pikë për shkodranët. Në total janë 9 pikë të ardhur nga golat e Latifit, pa llogaritur edhe asistet e tij gjatë këtij edicioni.
Kjo tregon për rëndësinë që ka Latifi dhe cilësitë e tij të padiskutueshme, që tifozët shkodranë shpresojnë të nxirren edhe më në pah me fillmin e vitit tjetër.
Endri ÇINARI