Edhe tri ditë na ndajnë nga fillimi i lojërave Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi para pak ditësh flamurin kombëtar ekipit olimpik “Team Albania” që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto lojëra, të cilat do të zhvillohen në datat 6-22 shkurt 2026 në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.
Me siguri, atë mbrëmje pakkush i njihte skiatorët në krah të Presidentit, veçanërisht dy vajzat e reja. Sot po ju prezantojmë njërën prej tyre, ajo quhet Lisa Brunga.
Cila është Lisa Brunga?
Lisa Brunga është sportistja e parë nga Kanadaja me origjinë nga Lezha që përfaqëson Shqipërinë në një Olimpiadë Dimërore. Ajo është 17 vjeçe dhe është skiatorja më e re që do të përfaqësojë flamurin kuqezi në Milano Cortina 2026.
Lisa Anton Brunga është me origjinë nga Lezha, e lindur dhe e rritur në Kanada, jeton në Toronto dhe është formuar nga ana sportive në një nga sistemet më serioze të skive alpine në Amerikën e Veriut. Që fëmijë u rrit mes disiplinës së stërvitjes, shkollës dhe garave, duke ndërtuar hap pas hapi një profil konkurrues në sllallom.
Ditët e fundit ajo konfirmoi formën me dy rezultate shumë të mira në garat FIS, vend i tretë dhe vend i gjashtë në sllallom, rezultate që flasin për potencial real olimpik, jo për rastësi.
Zgjedhja për të përfaqësuar Shqipërinë nuk ishte marketing dhe as oportunizëm. Dy vite më parë Lisa u angazhua vetë në një fushatë për mbledhje fondesh në ndihmë të Federatës Shqiptare të Skive, një akt i rrallë përgjegjësie për një sportiste të re.
Ajo zgjodhi flamurin shqiptar, sepse identiteti nuk matet me pasaportë, por me rrënjë, kujtesë dhe përgjegjësi morale ndaj vendit nga vjen familja. Ajo është bija e një shqiptari të suksshëm. Anton Brunga është një jurist me një studio të njohur ligjore në Kanada.
“Është shumë e rëndësishme për mua të përfaqësoj Shqipërinë, pasi është vendlindja e prindërve të mi dhe ndihem shumë e lumtur për këtë. Motoja ime për këto lojëra është: Skijo shpejt dhe shijoje! Pritshmëritë e mia për këto lojëra janë të përfaqësoj Shqipërinë sa më mirë, të jap më të mirën time dhe të përfaqësoj me dinjitet Shqipërinë”, shprehet Lisa në një videoprezantim për Federatën Shqiptare të Skive.
Ky është një moment simbolik për sportin shqiptar, por edhe një mesazh i qartë për diasporën, talenti rritet në botë të qytetëruar, por kthehet te rrënjët kur ka vetëdije. Lisa Anton Brunga i jep zë një brezi që nuk harron rrënjët, edhe kur ecën në pistat më të vështira të botës.


