Skuadra e fundit që do të marrë pjesë në Conference League nga Superiorja do të përcaktohet në dy javët e fundit të kampionatit. Vllaznia, Laçi dhe Teuta do të garojnë për të shoqëruar Tiranën, Partizanin dhe Egnatian në arenën ndërkombëtare.

Përballja e javës së 35-të mes Vllaznisë dhe Laçit do të vendosë shumëçka për skuadrën që do të tentojë deri në fund të arrijë vendin e katërt. Shkodranët e nisën sezionin me pretendimet për titull, por tani rrezikohen nga Laçi dhe Teuta dhe për vendin e katërt. Si kurbinasit dhe durrsakët deri para pak javësh ishin në vorbullën mbijetesës, por tani që kanë siguruar qëndimin ndodhen në lojë për biletën e fundit të Conference League.

Shkodranët presin në “Loro Boriçi” rivalët direkt të Laçit e më pas do të vizitojnë Ballshin. Nëse do t’i fitojnë të dyja këto ndeshje atëherë do të jenë ata pjesëmarrës në Europë sezonin e ardhshëm. Në anën tjetër Laçi, jo vetëm duhet të mundë Vllazninë këtë javë e të marrë maksiumin dhe me Kastriotin në shtëpi në javën e fundit, por të shpresojë se Teuta do të lërë pikë së paku në një nga dy ndeshjet që ka.

Durrsakët në anën tjetër do të shkojnë në Europë vetëm nëse Vllaznia nuk fiton me Laçin dhe “Djemtë e Detit” koleksionojnë pikët e plota në dy ndeshjet me Egnatian dhe Partizanin. Skuadra më e avantazhuar duket Vllaznia që ka plotësisht fatin në dorën e saj, ndryshe nga Laçi dhe Teuta që kanë nevojë për nga një “asist”.