Masimiliano Alegri është ende në kërkim të Juventusit të tij të vërtetë. Nëse me Udinezen u panë vetëm 45 minuta të para fenomenale, tipike të “shkollës Alegri”, kundër Empolit dolën në sipërfaqe të gjitha problemet e kësaj skuadre, e cila duket sikur pas largimit të Ronaldos ka humbur busullën dhe shumë lojtarë nuk dihet ende se cili është roli fiks i tyre, kjo edhe për faj të vetë “Kontit Maks”, i cili gjatë ndeshjes ndërroi disa herë skemën e lojës, duke e nisur me mbrojtjen me 4 dhe më pas e përfundoi me 3 lojtarë në prapavijë.

KUSH E XHIRON EKIPIN – Ramsej mungonte dhe papritur Juvja e gjeti veten pa një organizator kundër Empolit, me Bentankurin që teksa u rikthye përpara mbrojtjes, bëri një ndeshje gati të turpshme, pas paraqitjes shumë të mirë në Udine, i mbështetur në të majtë nga Rabio dhe djathtas nga Danilo.

Ndërkohë, Alegri hodhi menjëherë në fushë edhe amerikanin MeKeni (pas skualifikimit), i cili lëvizte si fantazist pas dyshes Kieza-Dibala, një eksperiment që rezultoi i dështuar dhe zgjati vetëm 45 minuta. Me këtë aset loje, në sulm jo vetëm që u panë dy sulmues që qëndronin shumë lart njëri-tjetrit, ndërsa Kieza e Dibala duhet të bënin të kundërtën, por që të dy më shumë sesa të kombinonin së bashku tentuan që ta zgjidhnin ndeshjen me goditje personale dhe me disa vrapime të kombinuara me driblime prej 30- 40 metrash, si në rastin e tri tentativave të para të Kiezës apo me goditjet nga distanca të Paulos.

NË KËRKIM TË SKEMËS – Lokateli ndoshta nuk është ende gati, por ajo që tremb jo pak tifozët është kaosi në të cilin ka përfunduar vetë Alegri. Në Udine, trajneri e nisi ndeshjen me një 4-4-2 dhe e mbylli me një 3-5-2. Ndërsa ndaj Empolit e nisi me një 4-3-1-2 dhe e mbylli me 3-4-3.

Të gjitha këto ndërrime sollën një kaos në mesfushë, ndonëse me futjen në fushë të Lokatelit në vend të Bentankurit në kabinën e regjisë, por edhe me Moratën në vend të MeKenit, plus Kulusevskin e Bernardeskin për Rabionë dhe Kiezën (më i miri në fushë), vërtet Juvja nisi të gjente pak saktësi dhe rrezikshmëri në sulm, por papritur humbi nga “ndeshja” Paulo Dibala.

Prandaj pyetja e madhe është: Mos këto gabime të para, sidomos ndaj Empolit, janë çështje mekanizmash që duhen “vajisur” ende apo Juventusi ka humbur identitetin pas largimit të Ronaldos? Këto përgjigje duhet t’i japë sa më shpejt pikësëpari Alegri, i cili pas humbjes gjithsesi dha garanci se ekipi do të dalë nga ky moment.

FLET ALEGRI – “Nuk jam nga ata që fshihen dhe duket qartë që skuadra nuk është e lidhur mes reparteve. Për këto gjëra disa përgjegjësi i kam unë si në rastin e MeKenit, të cilit i kërkova të bënte diçka ndryshe nga herët e tjera. Por problemi ynë më i madh ishte që bëmë një ndeshje të shfrenuar, pasi pësuam golin. Gabuam shumë dhe donim ta zgjidhnim ndeshjen në mënyrë individuale.

Kështu nuk fitohet. Një skuadër duhet të mësojë të jetë e duruar, duhet të kemi kthjelltësi pasi luhet 95 minuta në fushë. Duhet më shumë zemërgjerësi dhe ndoshta paguajmë pak faktin që kemi një skuadër të re në moshë sivjet. Gjithsesi, unë jam i bindur që ky grup ka vlera shumë të rëndësishme jo vetëm teknike, por edhe humane. Prandaj, të mos e konsiderojmë këtë humbje si diçka që lidhet me largimin e Ronaldos apo gjëra të tjera si kjo.

Gjithçka bëmë gabim me Empolin do ta deshifrojmë në stërvitje dhe do të dimë që të korrigjohemi. Më shumë se kjo humbje mua më djegin 2 pikët që lamë në Udine. Prandaj, tani është ora që ta qepim të gjithë gojën dhe të mendojmë të përmirësohemi, pasi na pret edhe një kalendar shumë i vështirë (tani i pret Napoli e Milani), ndaj të cilit duhet të dimë të përshtatemi, ndonëse ju siguroj se do të dalim shumë shpejt nga ky moment”, nënvizoi trajneri Masimiliano Alegri