Presidenti i Burundit, Pierre Nkurunziza, është një i apasionuar i madh i futbollit, por në një ndeshje të fundit “miqësore” ai është nxehur keq me ekipin kundërshtar. Dhe duhet të ketë pasur të drejtë…

Ta kesh presidentin e Republikës të fiksuar pas futbollit jo në çdo rast është pozitive.

E dinë mirë në Burundi, ku Pierre Nkurunziza, në detyrë që në vitin 2005, ka arrestuar Cyriaque Nkezabahizi dhe Michel Mutuma, trajnerin dhe ndihmëstrajnerin të një ekipi lokal në Kiremba.

Akuza? Ky ekip kishte bërë shumë faulla në dëm të presidentit.

Presidentit Nkurunziza i pëlqen të udhëtojë në vendin e tij dhe këtë e bën bashkë me një staf të quajtur “Kumeza gusenga”, që shpesh shndërrohet në “Haleluya FC”, një ekip i plotë futbolli.

Në sulm të këtij ekipi luan pikërisht udhëheqësi i shtetit, i cili zakonisht lihet i lirë nga kundërshtarët për të shënuar.

Më 3 shkurt të këtij viti diçka shkoi keq në këtë drejtim, në një ndeshje miqësore mes ekipit të presidentit dhe një ekipi të bërë shpejt e shpejt nga dy trajnerë të vendit të vogël Kiremba. Një histori, që përfundoi me pranga.

Sipas disa dëshmitarëve që e panë ndeshjen, presidentit Nkurunziza nuk i pëlqeu trajtimi që i bënë lojtarët kundërshtarë, nga të cilët pati presing dhe shumë faulla.

Për këtë arsye janë arrestuar dy trajnerët kundërshtarë, pasi nuk i kishin mësuar lojtarët si duhet.

Ata që e inatosën presidentin e Burundit ishin disa djem kongolezë të mbledhur në momentin e fundit për të bërë 11-shin.

Ata ia prishën planet për të shkuar te goli me disa ndërhyrje të ashpra. Duke qenë se nuk mund të ndëshkonte këta lojtarë, Nkurunziza futi në burg dy trajnerët, me akuzën e rëndë “kospiracion ndaj presidentit të Republikës”.

Jo keq për një njeri, i cili është edhe Sekretar i Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e Demokracisë. /Vipsport/