Liga e Kampionëve do të rinisë nesër mbrëma me ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ave. Të mërkurën, në Londër do të luajnë Totenhemi dhe Juventusi, që ndeshjen e parë në Torino e mbyllën me shifrat 2-2.

Mesfushori brazilian i Totenhemit, Lukas Moura, e ka vlerësuar maksimalisht Juventusin, duke u shprehur se ndeshja në Londër do të jetë tepër e vështirë. Sipas tij, Juventusi është simbol i futbollit italian.

“Rezultati 2-2 është i favorshëm për ne, por do të jetë e vështirë ta menaxhojmë në Londër. Juventusi është një ekip i madh dhe ndër më të mirët në Europë, pasi ka shkuar 2 herë në finale gjatë 3 viteve të fundit.

Ata kanë një ekip shumë solid, me emra të mëdhenj të futbollit europian dhe jo vetëm.

Kanë në përbërje futbollistë si Kielini, Bufon, Dybala, Higuain apo edhe Aleks Sandro, të cilët janë në gjendje të vënë në vështirësi çdo ekip.

Mund të them se Juventusi është simboli i futbollit italian, jo vetëm prej formës që po kalon aktualisht, por edhe për ecurinë që po bën në Europë.”- u shpreh mesfushori i Totenhemit. /Vipsport/