Kukësi i këtij edicioni ka qenë shumë larg pritshmërive, teksa ka ndryshuar deri më tani tre herë trajnerin. Verilindorët aktualisht e shohin veten në mesin e klasifikimit.
Kur kanë mbetur dhe 9 javë deri në fund, situata nuk duket e mirë, pasi lojtarët që pas ndeshjes me Egnatian kanë refuzuar që të zbresin në stërvitje.
Shkak është bërë vonesa e pagave, çka ka nxitur lojtarët që të marrin vendimin për të bojkotuar stërvitjen. Situatë që ka krijuar një situatë problematike, pasi të hënën është ndeshja e radhës me Tiranën.
Lojtarët janë paraqitur çdo ditë në fushat stërvitore, por kanë refuzuar që të angazhohen në stërvitje. Deri në momentin që të marrë zgjidhje problemi me pagat.
Supersport mëson se drejtuesit u kanë premtuar lojtarëve se pas ndeshjes me Tiranën kjo situatë do të marrë zgjidhje. Kjo i ka nxitur ata që të nisin përgatitjet ndaj bardhebluve.
Një situatë jo e mirë për një skuadër që ka mundësi për të siguruar një vend në kupat e Europës. Kukësi ndodhet aktualisht vetëm 6 pikë larg Egnatias së vendit të tretë.
Por në rast se problematika të ngjashme do të jenë prezente në vijim, skuadra do të rrezikonte edhe fundin e tabelës. Pasi zona e play-out është 2 pikë larg dhe zona e rënies 5 pikë.