Një serb i preferuar te shqiptarët? Sa shpesh mund të dëgjohet kjo fjali? Ish-futbollisti Milan Djordjevic është kthyer në simbol te skuadra e Besëlidhjes. 35-vjeçari i cili u tërhoq nga futbolli aktiv më 1 korrik ka folur për gazetën serbe “ALO”. Djordjevic ka treguar se nuk ka pasur asnjëherë probleme në Lezhë dhe ka pasur një mardhënie shumë të mirë me tifozët.
“Në janar të vitit 2012 mora oferta nga tre vende të ndryshme. Ato ishin nga Austria, Mali i Zi dhe Shqipëria. Në atë kohë, tre lojtarë nga Serbia luanin te Besëlidhja dhe unë vendosa të provoj këtë aventurë, të takoj kulturën e futbollit dhe njerëzit këtu dhe pastaj të vendos se çfarë të bëj më pas”, ka thënë fillimisht Djordjevic.
“Shokët e skuadrës më pritën shumë mirë, më befasoi mikëpritja dhe kultura shqiptare, nuk kishte paragjykime. Menjëherë mora nofkën “Gjergji Serbi”.
Djordjevic në fund preku edhe incidentet që ndodhën në Beograd në ndeshjen Serbi-Shqipëri, ku një dron ndërpreu ndeshjen dhe tensionoi më tepër mardhëniet mes dy shteteve.
“Mendoj se ishte e martë kur ndodhi incidenti në Beograd dhe të shtunën kisha një ndeshje në kampionat ku kishte shumë tifozë, duke përfshirë gruan dhe vajzën time. Isha pak i zhgënjyer për gjithçka çfarë ndodhi dhe nuk e dija se çfarë më priste në fushë.
Gjithçka ishte e qetë vetëm kur në minutën e 45′ arrita të shënoja një gol të bukur, ndërsa të gjithë tifozët në stadium filluan të bërtisnin “Gjergji serbi”. Ishte një nga momentet më të bukura që kam përjetuar në karrierën time”. Përfundon intervistën ish-sulmuesi./dosja.al/