Kukësi rënditet në vendin e 3-të në kampionat me 8 pikë të grumbulluara. Verilindorët nuk po kalojnë një formë të mirë, teksa në 3 ndeshjet e fundit, kanë marrë vetëm dy pikë. Kuksianët kanë barazuar 2-2 me Laçin dhe 1-1 me Partizanin, ndërsa janë mundur 2-3 nga Teuta.
Këto rezultate nuk përputhen aspak me 2 ndeshjet e para sezonale, ku skuadra fitoi ndaj Egnatias dhe Kastriotit. Ekipi i Longos “likuidoi” 3-1 krutanët, ndërsa 1-3 u mbyll transferta ndaj debutuesve të Egnatias. I ftuar në Rubrika Sportive në TVSH është trajneri i Kukësit, Diego Longo. Longo prek tema të ndryshme, me numrin një të stolit që është i drejtëpërdrejtë në atë që thotë.
“Skuadrat e tjera- Pashë një pjesë të Teuta-Tirana. Besoj se diferencën e bën eksperienca dhe ekuilibri që ka çdo skuadër. Tirana dhe Vllaznia janë në maksimumin e tyre. Në fund do fitojë ekipi që ka më ekuilibër. Tirana është skuadra më e balancuar. Vllaznia është skuadra më sulmuese në kampionat.
Kukësi dhe takimi ndaj Partizanit- Jam me fat që kam një grup të tillë. Mendoj se forca dhe kompaktësia janë armët tona më të forta. Dje nuk ishte e lehtë. Pashë një pjesë të parë të dominuar. Në gabimin e parë që bëmë, ata bënë gol. Ne mund të shënonim edhe një gol. Doja të ndryshoja diçka më përpara, pasi 0-0 nuk na shkonte përshtat.
Loja- Ne luajmë kështu sepse kështu mund të shprehemi. Nëse do kisha lojtarë si Tirana që ka Ngo-në, do luanim ndryshe.
Grupi–Gjërat janë përmirësuar brenda grupit. Ne jemi më të fortë se më parë. Këtë mund ta them me siguri. Ndonjëherë gjërat janë të studiuara, edhe kur duken tyë pastudiuara. Ekulibri është gjëja më e rëndësishme sipas meje. Për mua është e rëndësishme që ekipi të ofrojë një lojë ofensive. Edhe ne po provojmë të gjejmë një ekuilibër. Kemi ende punë për të shfaqur potencialin” – tha ai./newsport/