Ish-gjyqtari i FIFA, Lorenco Jemini ka analizuar në programin “Proçesi Sportiv” në Top Channel rastet e diskutueshme në ndeshjen Egnatia-Vllaznia, 3-0. Sipas Jeminit, goli i parë i Pedros ka qenë një vendim i gabuar, pasi ka qenë tërësisht offside.

Nga ana tjetër sipas tij, kartoni i kuq i Heriç ishte i drejtë, pasi nuk duhej të vinte ajo ndërhyrja nga ana e tij, duke pasur parasysh se ai e kishte edhe një tjetër karton të verdhë.

“Goli i parë i Egnatias është offside. Kanë gabuar gjyqtarët. Ka një prekje të pavullnetshme nga ana e Diagne, ku përfitoi Pedro, që ishte në pozicion jashtë loje dhe shënoi. Për mua, duhej dhënë pozicion jashtë loje. Eshtë gol offside. Gjyqtarët e lanë gol të rregullt.

Ka ndërhyrë edhe VAR dhe e ka rishikuar edhe gjyqtari Shahini, por mos të harrojmë se janë raste shumë të vështira. Duhet ta shikosh me dhjetëra herë dhe të futesh edhe llogjikën në punë. Duhej anulluar si gol përfundimisht.

Rasti tjetër i Heriç është flagrant. Eshtë kartoni i dytë i verdhë. E pashpjegueshme ndërhyrja që ka bërë Heriç. Këtë e them më shumë për të sensibilizuar lojtarët. Duke ditur që e ke një karton të verdhë, bën edhe atë ndërhyrje, nuk e kuptoj se si e ka bërë atë ndërhyrje.

Edhe vetë trajneri Plori e pranoi gabimin e Heriç, që tha nuk di çfarë t’i them atij. Tifozët e Vllaznisë janë më kërkues se gjithë të tjerët”,-tha ish-gjyqtari i FIFA, Lorenco Jemini, gjatë programit “Proçesi Sportiv” në Top Channel, teksa dha verdiktin e tij.

Maringlen ZHIVANI