Për shumë vite, sa herë që të përmendet fjala kapiten i kombëtares, mendja do të shkojë te Lorik Cana, ai që u kthye në simbolin e kuqezinjve dhe të një Shqipërie mbarëkombëtare që arriti të shkonte në një eveniment madhor për herë të parë në histori.

Por legjenda kuqezi, është i ndërgjegjshëm se problemet që dolën në pah pas Europianit, sidomos me periudhën e Panuçit, nuk janë zgjidhur ende dhe se Shqipëria aktualisht vuan mungesën e elementëve të cilët të bëjnë diferencën duke shqetësuar kundërshtarët me lojën e tyre.

“Do të jetë ndeshje e komplikuar”, tha Cana për emisionin radiofonik “Rothen Régale”, ku iu përgjigj pyetjeve të ish-kolegut të tij, Zherom Roten. “Nuk ka diçka në veçanti që të kesh kujdes ndaj saj, apo një lojtar ofensiv që të tremb”, pranoi ish-kapiteni i kuqezinjve sa i përket gjendjes aktuale të skuadrës.

“Skuadra shqiptare nuk po kalon momentin e saj më të mirë, formën më të mirë, është në një moment tranzicioni mes disa futbollistëve që u larguan pas Euro 2016 dhe një ndryshimi gjenerate”, ishte shpjegimi i Canës për ndeshjen e të shtunës dhe gjendjen e skuadrës së drejtuar nga Edi Reja. /vipsport/