
Opinion nga BESNIK DIZDARI*
Ka qenë një befasi e mad he për mua ajo çka ngjau në ceremoninë e dekorimeve të 30 dhjetorit 2012 prej Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Them për mua, por besoj edhe për të tjerë, të cilët ishim të pranishëm në këtë ceremoni. Presidenti i Republikës i akordoi Loro Boriçit (Pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të veçantë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar”.
Asgjë e tepërt në këtë motivacion për Boriçin e madh për të cilin kemi shkruar dhe spikat aq shumë, por që kaq shumë vonoi t’i jepej titulli unik presidencial. Dihet, më mirë vonë se kurrë. Dhe le të qëndrojmë tash te “befasia” e sipërpërmendur. Loro Boriçi u bë de jure “Nderi i Kombit” (de facto ai ka qenë) në një ditë, në një orë apo çast ceremonial së bashku me tetë personalitete të tjera.
Dhe thelbi i gjithë kësaj ngjarjeje qëndron në atë se tetë të tjerët ishin personalitete të kulturës e artit kombëtar. Shtatë prej tyreve iu dha titulli “Mjeshtër i Madh”. Vetëm njërit, aktorit të paharrueshëm Prokop Mima, iu dha titulli i epërm “Nderi i Kombit”. Po ashtu si dhe Loro Boriçit.
Befasia e parë për mua (dhe jo vetëm për mua) qëndronte te fakti se për herë të parë në historinë e Shqipërisë zhvillohej një ceremoni e rangut më të lartë shtetëror ku nderohej një njeri i vetëm i sportit midis tetë personaliteteve të fushave të tjera: të kulturës, arteve, letërsisë, muzikës, teatrit. Befasia vjen e thellohet kur vëren se ceremonia nisi duke nderuar të parin pikërisht Loro Boriçin. Para gjithë personaliteteve të tjera të nderuara. Nuk do të doja të ishte një rastësi. Aq më tepër kur në motivacionin e Presidentit për Boriçin veçohej përcaktimi sublim: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë”. Nuk e kisha përjetuar deri më sot këtë përcaktim për një njeri të sportit. Dhe mu në këtë përcaktim vjen e forcohet tejet tema e një rëndësie të madhe shoqërore që përpiqet të pasqyrojë ky shkrim. Befasia qëndronte, pra, në atë që si të thuash, për herë të parë ndodhte që një personalitet i vetëm i sporteve të kryesonte një ceremoni të madhe shtetërore me shumicë personalitetesh të kulturës kombëtare në tanësi.
Kësisoj, më pëlqen ta ndiej gjithë këtë si një gjest kuptimplotë shtetëror që e vinte sportin kombëtar mirëfilli si pjesë dhe të barabartë me kulturën kombëtare. Madje krejt papritmas në këtë ceremoni, simbolikisht e vinte të parin, në krye. Ishte një gjest që mua më dukej sikur kërkonte të afirmonte sportin kombëtar si pjesë të rëndësishme të vetë kulturës kombëtare, pra “si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë”, siç thuhej në motivacion.
Në kohën e sotme të sportit kombëtar, ky gjest ceremonial merr një rëndësi të veçantë sepse, për fat të keq, duhet të pranojmë që sporti shqiptar sot është i ndarë si me thikë prej kulturës kombëtare, prej intelektualëve të saj të mendimit, të letërsisë, të krijimit, të artit. Është e vërtetë që sporti dhe ajo që i thonë kultura fizike, bëjnë pjesë në Ministrinë e Kulturës, çka tregon se prej shtetit, të paktën formalisht, sporti konsiderohet kulturë kombëtare. Mirëpo, është tejet e vështirë. Bie fjala, që sot në shkallët e stadiumeve tona të gjesh të pranishëm një personalitet të kulturës kombëtare, një shkrimtar, një aktor, një studiues, një shkencëtar, një piktor të shquar. (Kohët e fundit bën përjashtim vetëm prania në stadium e të mirënjohurit Maks Velo si “skënderbejan” i shquar). Nuk them se mungesa e këtyre personaliteteve është një dukuri shkajkore sunduese që i ka varfëruar tribunat e stadiumeve tona, ku prej kohësh mbizotëron një antikulturë që them se nuk është parë në gjithë këta 100 vjet (1913) qysh se në Shqipëri zhvillohet zyrtarisht sporti kombëtar. Provoni dhe shkoni një të shtunë apo një të diel në stadium dhe do “të shijoni” larminë e pashembullt të një mjedisi sharjesh banale, në kor që nuk e gjen në asnjë stadium të Europës! Madje qysh nga ajo që dikur e kemi quajtur “tribuna e nderit” e tash quhet “VIP”.
Ndërkaq, nga kërkimet sado modeste që kam mundur të ndërmarr, kam vërejtur qartë se intelektualët e kulturës kombëtare (për ta po gjej këtë përcaktim përgjithësues), të kenë interesa për sportin shqiptar. Nuk më del që gazetat sportive t’i kenë ata si lexues të rregullt. Nuk më del që grupime të tyre, sado të vogla, të jenë vizitorë të rregullt të ndeshjeve sportive kombëtare në Shqipëri. Disa sosh i gjej të pranishëm në studio televizive vetëm kur është Kampionati Botëror apo Europian, me sa duket, siç është parë qartë, me synimin e vetëm për t’u hequr si tipa perëndimorë, e pra për të fituar disa pikë artificiale “mondaniteti” te “proletariati” sportiv.
Por në thelb nuk më del thuajse askund që të shfaqen diku interesat sportive kombëtare të tyre. Vite të shkuara, ndonëse isha një gazetar profesionist i zhanrit, madje kryeredaktor gazete, më ndodhte që shkrimtarë apo njerëz të kulturës e artit të më vinin në pozitë të vështirë me mendimet, kritikat e debatet e tyre për sportin. Sot absolutisht nuk gjej të tillë. Ose edhe nëse për një çast mund të më duket se e gjej një të këtillë, ai më shfaqet me një buzagaz disi ironik nën retorikën e pyetjes: “Ç’thotë sporti?”. Pa harruar ndonjë tjetër që një ditë më vonë befas mund të më pyesë: “Kush e kryeson Kampionatin Kombëtar?”. Sepse ai vetë assesi nuk denjon ta ndjekë drejtpërsëdrejti këtë kampionat që ka qenë e duhej të ishte gara sportive më popullore e më fort e ndjekur në vend. Dhe prapë nuk është vetëm kaq. Është tepër vështirë që në kryesitë e federatave sportive shqiptare të gjesh një, një njeri të vetëm, si të thuash, prej “faqes” tjetër të kulturës kombëtare. Sporti shqiptar ka humbur mbështetësin e tij të madh: njeriun e kulturës kombëtare. Dhe kjo është një humbje po e madhe.
Është e vërtetë, madje e detyrueshme, që drejtimin, zhvillimin, mbështetjen e sportit kombëtar ta kenë fort në duart e tyre, në radhë të parë njerëzit e sporteve, specialistët e tij, teknikët e tij, ata të cilët janë marrë përherë me sportin dhe që i kanë kushtuar jetën atij. Mirëpo, jo vetëm ata. Ose ta thuash më qartë, kurrsesi sporti kombëtar nuk mund të jetë kaq larg njerëzve të kulturës kombëtare. Ia pata arritur dikur në “Sporti popullor” (që e pata riemëruar në “Sporti shqiptar” të sotëm) që të shndërroja në autorë shkrimesh sportive shkrimtarë shqiptarë. Një Bedri Dedja, një Vath Koreshi, një Fadil Kraja, një Teodor Laço, një Nasi Lera, një Betim Muço, një Agim Gjakova, një Pëllumb Kulla… E donin sportin, qëndronin pranë sportit, e përjetonin atë në mënyrën e tyre, qoftë dhe periodikisht. Dhe morën ndër duar edhe “pendën sportive”, nëse do të mund ta quaja kësisoj. Natyrisht, në një mënyrë jo thjesht gazetareske, por diçka letrare të një stili e origjinaliteti për të cilën aq fort ka nevojë gazetaria jonë.
Kam botuar vitet e fundit një ese sportive të shkrimtarit të madh Curzio Malaparte kushtuar çiklistëve legjendarë Fausto Coppi e Gino Bartali, çka mendoj se përbën një shembull kuptimplotë të idesë sonë. Ndërkaq, ditët e fundit kam zbuluar se shkrimtari i madh rus Evgjeni Jeftushenko ka shkruar dy poezi të mrekullueshme: njërën kushtuar futbollistit të madh sovjetik Eduard Strelcov dhe një poezi tjetër kushtuar futbollistit dhe hokeistit legjendar rus Vsevolod Bobrov.
Tash më gjeni një poet shqiptar që i ka kushtuar dhjetë vargje të vetme një sportisti të famshëm shqiptar. Loro Boriçi do të ishte i denjë për një kushtim të tillë. Dhe kurrsesi vetëm ai. Natyrisht, kjo nuk mund të kërkohet kështu në një mënyrë që me të drejtë mund të duket deri diku edhe si artificiale. Thjesht kjo mua më vlen për të përforcuar mendimin se sot në Shqipëri intelektuali i kulturës shqiptare nuk ka të bëjë me sportin, i është larguar atij. Nuk di një rast që mjedisi ynë sportiv të ketë tërhequr një skulptor për te figura e një sportisti të shquar shqiptar për ta përjetësuar atë në një bust e aq më pak në një monument. Kur dihet se edhe nga ana artistike eleganca e fizikut të një sportisti është tejet e lakmuar për një skulptor. Besoj se lexuesi ka dijeni për monumentin e trajnerit ukrainas Lobanovski, por edhe të një Eusebio e të tjerë, madje në të gjallë të tyre, të vendosur në hyrje të stadiumeve të tyre.
Na është varfëruar tejet familja jonë sportive, që dihet është një familje tanësore që përfshin gjithë shtrirjen hapësinore të vetë shoqërisë njerëzore, të djeshmen dhe këtë moderne të tashme.
Dhe shkojmë më tej. Vështroni drejtimin e klubeve të sotme sportive dhe po gjetët një personalitet të kulturës kombëtare që të jetë pjesëtar, sidomos në kryesitë apo këshillat e tyre, do t’iu përulem. Gazetari i përbotshëm Indro Montanelli, për vite të tana ka qenë anëtar i kryesisë së klubit Fiorentina. Kjo sa për të dhënë një shembull prej qindra e qindra kësisoji të kohës së sotme.
E shikoni se si flitet sot për skuadrat tona të futbollit? Flitet vetëm për paré, për blerje, për vijon nga faqja 1 shitje, për merkato (treg). Vështirë të gjejmë një fjalor tjetër, më “estetik”, për skuadrën e futbollit, bie fjala, si “simbol i qytetit”, si “pjesë e kulturës dhe traditës sonë qytetare”, pra në kërkim të një fjalësi të përbërë nga “kulturë”, “dëfrim”, “edukim”, “çlodhje”, “formim”.
Të dielën që shkoi, edhe me shpresë se do të shihja basketbollistin shqiptar Klaudio Ndoja, kam ndjekur në televizionin italian ndeshjen e basketbollit Enel të Brindisit – Emporio Armani të Milanos. Kamera e transmetimit sillej sa në fushën e lojës, çka doemos ishte synimi kryesor, e po aq në tribunat. Dhe sa admirova ndeshjen, po aq admirova edhe tribunat e mbushura të pallatit puliez të sportit. Spektatorë djem e vajza të reja, apo më të rritur, tifozë të qytetëruar të moshave të shtyra, fëmijë dhe familje të plota, të veshur si në një festë. Çfarë i kishte shtyrë këta 5000 shikues të braktisnin për ato dy orë e më mbrëmjen e tyre të së dielës (ishte deri përtej orës 21:30) dhe të kalonin çaste sportive në pallatin e sportit? Doemos gjakimi (pasioni) për sportin, në këtë rast basketbollin. Them se më shumë se kaq i shtynte pjesëmarrja me kënaqësi të një mbrëmjeje e një kulture në tanësi.
Për fat, krejt papritmas, i kthehem paksa rasteve të pakta kësisoj të Shqipërisë sime. Pak kohë më parë u zhvillua ceremonia e përurimit të palestrës sportive më të madhe ndër ne, asaj të Universitetit të Sporteve në Tiranë. Kisha kohë pa parë aq shumë intelektualë “josportivë” të pranishëm në një ceremoni sportive. Më vinte mirë që për këtë dukuri ishte përkujdesur jo pak një institucion arsimor i sporteve, i edukimit dhe kulturës fizike siç është Universiteti i Sporteve me në krye rektorin e tij të palodhur Vesel Rizvanolli. I takon. Sepse askund më fort se në një Universitet të Sporteve nuk mund të rritet pema e bashkimit të madh midis kulturës fizike e sportive bashkë, me kulturën kombëtare në tanësi.
Dhe befasia e kësaj jave. Në Bërdicë të Shkodrës, shkollës 8-vjeçare i është vënë emri i një sportisti të rrallë, çiklistit Agim Tafili. Nuk di nëse ka në botë një shkollë që mban emrin e një çiklisti. Ndodhi në Shqipëri. Besoj se ndodhi ngaqë për ne Agim Tafili përfaqëson, ndërkaq, “një romantizëm shqetësues dhe tronditës, jo atë që e mbështolli botën moderne me shpirtin heroik të Europës së vjetër”, siç thotë Malaparte, por romantizmin që lindte prej dëshirës së madhe për të sfiduar me emocione të fuqishme garash sportive epike Shqipërinë gëzimpake të asokohe. Dhe ndoshta pa e kuptuar as ai vetë, Tafili ynë, gjithnjë vetvetiu, ndërmori një rol kulture dhe edukimi ashtu si për të gjithë të rinjtë shqiptarë, sidomos për bërdicianët e rinj të një kohe kur aty në rrugën kombëtare pranë shkollës së tyre, ai pedalonte duke qenë gati përherë i pari. Prej garës së tij epike ata merrnin një mësim krejt origjinal edukimi përmes vlerave të pazëvendësueshme që përherë sporti bart. Qoftë dhe romantizmin që lindte prej dëshirës së madhe për të sfiduar me emocione të fuqishme garash sportive epike Shqipërinë gëzimpake të asokohe. Dihet, ndërkaq, sporti modern ka fort nevojë edhe për pak romantizëm. Në këtë rast shkolla “Agim Tafili” e Bërdicës përbën një befasi tjetër kuptimplote, si kulturë mbi të gjitha, ndonëse në këtë rast vjen si një invers i asaj çka trajtojmë këtu: është vlera e pazëvendësueshme e sportit që shkon te arsimi, te kultura, te edukimi.
E tash, duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, kënaqem fort me atë çka ngjau në ceremoninë e nderimit të Loro Boriçit, i cili, përveçse futbollist i madh, ka qenë dhe një intelektual i madh. Dhe jo rastësisht për këtë shkrim nuk zgjodha një foto sportive të tij, por një foto të intelektualit të shquar Loro Boriçi, elegant, të një vështrimi hapësinor – simbol i personalitetit të tij universal të një kulture të vërtetë kombëtare – përfaqësues i denjë i së cilës ai ka qenë.
Ndoshta mu për këtë konsiderim ndaj kulturës kombëtare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zgjodhi pikërisht Loro Boriçin për ta nisur ceremoninë e tij për dekorimin e personaliteteve të kulturës kombëtare më 30 dhjetor 2012. Më pëlqen fort t’i jap këtë kuptim gjestit të tij vërtet kuptimplotë. Kësisoj edhe si një shêj a nxitje që sporti shqiptar të rifitojë intelektualin e kulturës kombëtare.
*Marrë nga gazeta “Panorama Sport”


