Pasditja e nesërme do të jetë shumë e veçantë për tifozët shkodranë për emocionet që do të dhurojë Vllaznia në futboll për femra me një përballje historike ndaj ekipit të Realit të Madridit, ndeshja e parë e fazës së grupeve të UEFA Women Champions League.
Padyshim që, kjo përballje është një kënaqësi me vete për të gjithë, sepse në Shkodër po vjen Reali i Madridit, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Edhe njëherë tjetër, Vllaznia e femrave dhe Shkodra i dha leksion të gjithë Shqipërisë me këtë sukes historik, pasi solli në vendin tonë ndeshjet e një kompeticioni madhështor, siç është UEFA Champions League.
Ndërkohë, në ndeshjen e nesërme Vllaznia-Real Madrid, numri i tifozëve të pranishëm pritet të jetë i konsiderueshëm. Në shkallët e “Loro Boriçit” pritet të ketë shumë familjarë, njerëz në moshë, por jo vetëm.
Në stadium do të jenë të pranishëm edhe pjesëtarë të grupimit “Vllaznit Ultras”, që do të vendosen në pozicionin e tyre të zakonshëm, në tribunën C5, teksa pritet t’i japin një bukuri të madhe ndeshjes me brohoritjet dhe këngët e tyre gjatë gjithë takimit.
Të gjithë këto faktorë të lënë me shpresë se, ditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi” mund të mendohet edhe për një rezultat pozitiv ndaj Realit të Madridit. Pse jo, sepse Vllaznia mbetet Vllazni, e veçantë si gjithmonë në emocionet që dhuron…
Maringlen ZHIVANI