Luka Modriç ka qenë futbollisti i cili theu për një vit hegjemoninë e gjatë të dyshes Ronaldo-Mesi sa i përket fitores së “Topit të Artë” dhe sot do të hyjë në histori për dy arsye krejtësisht të ndryshme.
Një në fakt e ka regjistruar që kur u bë gati lista me 30 emrat e kandidatëve për të fituar trofeun. Emri i kroatit fitues në fuqi nuk gjendej mes kandidatëve të këtij edicioni dhe kjo ishte hera e parë që një gjë e tillë ndodhte për këtë trofe prestigjioz.
Ndërkohë, e dyta ka të bëjë me faktin se ai është ngarkuar me një detyrë të rrallë, që nuk e ka bërë asnjë nga paraardhësit e tij dhe është e vështirë që ta shohim të ndodhë përsëri.
Organizatorët i kanë kërkuar Modriç nëse mund të dorëzonte vetë trofeun te fituesi i radhës dhe mesfushori i Realit, me thjeshtësinë e tij, e ka cilësuar këtë një nder.
Kësisoj, në ceremoninë e sotme, do të jetë Modriç ai që do të dorëzojë në duart e Lionel Mesit trofeun më të lakmuar individual për futbollistë në botë. /vipsport/