Vetëm 20 vjeç u largua nga Vllaznia dhe Shqipëria duke kërkuar një jetë më të mirë dhe ndonëse luajti shumë pak me ekipin shkodran, duket se ajo periudhë ka lënë gjurmë të thella tek Lulzim Bërsheni.

Njëri nga lojtarët më të talentuar të ekipit shkodran në vitet ’80 filloi të shkëlqente me fanellën kuqeblu por në vitin 1987 vendosi të largohej për në Greqi, aty ku jeton edhe sot e kësaj dite.

Sezoni 1987-88 nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për të. Protagonist i vazhdueshëm, shënues i një goli kryevepër në Tiranë ndaj Dinamos dhe pas ndeshjes me Rovaniemin në Finlandë, u largua përfundimisht.

Gjithsesi Bërsheni është nostalgjik për atë periudhë që ka luajtur për Vllazninë, gjatë së cilës ka marrë duatrokitje të shumta të publikut shkodran. Pikërisht për këtë arsye, ai ka postuar sot në faqen e tij një foto gjatë një ndeshje në Shkodër ku ai ndodhet në një dyluftim me kundërshtarin, ndërsa në sfond është tribuna e stadiumit “Vojo Kushi” e mbushur plot e përplot.

Kjo ka bërë që ish- futbollisti i talentuar të ndjejë nostalgji e prandaj shkruan: “Kur shoh këta fotografija, falenderoj Zotin që ma bani rrisk me luajt për ata tifoza e për atë skuadër, Vllazninë e Shkodrës”.
© shkodrasport.com