Regi Lushkja ka folur pas fitores 1-0 kundër Tiranës. Mesfushori i Laçit ishte protagonist duke shndërruar në gol penalltinë e akorduar në minutat e fundit të takimit.
Në prononcimin e zakonshëm për Supersport, ai u shpreh i kënaqur me performancën dhe rezultatin e skuadrës së tij. Në fjalën e tij për gazetarin Alia, Lushkja tha:
“Ishte ndeshje shumë e vështirë duke ditur që Tirana është ekip i fortë. Pamë që ishim vendos me një skemë 3-5-2, ata pretendonin 1 pikë. Luftuam deri në fund dhe realizuam qëllimin që kishim.
Tension në skuadër? Sigurisht që ndeshja ka tensione, ka çdo gjë. Ne pretendonim të merrnim 3 pikë të plota, për këtë arsye ndeshja shkoi në këtë mënyrë. Shyqyr që morëm pikët me vuajtje. Me Guindon vendosëm që do ta godas unë sepse kisha besim. E mora përsipër.
Era në fushë? Ishte shumë e fortë dhe të hap probleme në kontrollin e topit. Era të ngadalëson lojën. Kur e ke kundër, ta shtyn shumë përpara.
E ardhmja? Jam në vitin e fundit të kontratës me Laçin. Shpresoj të bëj sa më mirë këtu deri në fundin e sezonit. Shpresoj të bëj një hap të madh jashtë vendit. Shpresoj ta realizoj sa më shpejt.
Rivali më i fortë? E vërteta është që të 3 skuadrat janë shumë të forta, si Kukësi, Vllaznia dhe Tirana. Por, mendoj se Tirana është më e fortë se ka një mbrojtje solide dhe një sulm të fortë. Mendoj se pak më lart mund të jetë Tirana se këto ekipet e tjera”, përfundoi ai.