Trajneri Gugash Magani ka mbetur i kënaqur nga fitorja ndaj Kukësit, por gjithsesi pishman ka golin e pësuar, pasi ua ul disi përqindjen e kualifikimit, gjë të cilën ai e beson.

“Specifika e Kupës ndryshon nga kampionati, pasi janë 180 minuta lojë për t’u luajtur. Ne kemi bërë një pjesë të saj, të cilën e konsideroj mjaft të mirë duke parë rezultatin.

Por, kemi bërë edhe gabime që janë njerëzore po t’i referohemi pësimit të golit, megjithëse kur punohet, edhe gabimet janë pjesë e saj. Kukësin e kishim vlerësuar, sigurisht për meritat që ka treguar në këtë sezon, pasi është një kundërshtar tepër i fortë.

Kemi qenë më mirë se kundërshtari dhe fati i madh ishte që shënuam të parët, e dyfishuam dhe trefishuam rezultatin dhe në momentin që duhet të ishim më të ekuilibruar kaluam pak në eufori dhe u ndëshkuam nga kundërshtari.

Pas pësimit të golit, Kukësi na mori më shumë terren dhe mund të ishim ndëshkuar sërish. Jemi një skuadër me organikë të bollshme dhe në ndeshjen e kthimit, me rikthimet e futbollistëve të dëmtuar do të jemi edhe më të plotë për të synuar kualifikimin në turin tjetër. Megjithate tani duhet te mendojme per ndeshjen e rradhes per kampionat, ate ndaj Vllaznise”, u shpreh trajneri i Egnatias, Gugash Magani.