Ndeshja e së enjtes ndaj Kastriotit është një finale për Skënderbeun, që kërkon të largohet nga vendi i fundit dhe rreziku i rënies nga kategoria. Situata sa vjen dhe bëhet më e vështirë, sidomos pas barazimit ndaj Vllaznisë në javën që shkoi. Pas kalimit në avantazh në pjesën e parë, bardhekuqtë kishin mundësinë e mbylljes së takimit, por nuk arritën t’i shfrytëzonin rastet.

Për sulmuesin shkodran, Belajdi Pusi, barazimi ishte një rezultat që si bën punë Skënderbeut në këtë moment të kampionatit, ndaj edhe për këtë korçarët duhet të rikthehen sa më shpejt te fitoret për të mbajtur ritmin e duhur, me qëllim largimin nga zona e ftohtë e renditjes.

Në prononcimin për “Panorama Sport”, Pusi flet për barazimin ndaj ekipit të zemrës, ndërsa motivon shokët e ekipit që të shmangin gabimet, duke filluar nga nesër ndaj Kastriotit, në ndeshjen që do të luhet në Kamzë.

“E kishim vlerësuar në maksimum takimin, pasi jemi të vetëdijshëm se të gjitha ndeshjet e mbetura nga tani e në vazhdim, janë jetike për ne. Kemi pasur një nisje të mirë të lojës dhe si objektiv që në startin e saj kemi pasur tri pikët.

Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe me grintë, që na ka munguar në disa takime të humbura. Kishim mundësinë të mbyllnim ndeshjen dhe të merrnim tri pikët. Kemi qenë shumë të mërzitur.

Ju siguroj se dhe pas ndeshjes në dhomën e zhveshjes kemi qenë të gjithë të trishtuar, pasi ishte një nga ato takime që nuk mund ta humbësh. Kishim një qasje të mirë të lojës dhe bëmë gjithçka për të dalë me tri pikë. Fati nuk ishte me ne, pasi kemi pësuar nga dy gabime tonat, që mund dhe duhet t’i shmangnim. Tani duhet të shohim ndeshjen e radhës dhe të jemi të bindur që mund të bëjmë më shumë”, deklaroi fillimisht Pusi.

KASTRIOTI

Ndeshja Kastrioti-Skënderbeu, që do të luhet nesër në orën 13:45 në stadiumin e Kamzës, duket si një finale mbijetese, me dy skuadra që pikët i kanë jetike. Pusi është i bindur se nëse Skënderbeu luan si grup dhe me të njëjtën grintë, fitorja do t’u takojë atyre në fund të ndeshjes.

“Është një ndeshje shumë e fortë dhe vendimtare për ecurinë tonë. Prandaj, jemi të vendosur që të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të dalim me pikët e plota. Unë jam i bindur se nëse luajmë si grup, siç bëmë ndaj Vllaznisë, do të kemi shumë mundësi për të kaluar këtë takim të vështirë.

Fundi i tabelës na shqetëson shumë, prandaj kërkojmë me çdo kusht ringritjen. Shpresojmë që në këtë takim të kemi një grup shumë herë më të plotë, pasi mungesat na kanë penalizuar jo pak. Kastrioti është rivali ynë për momentin dhe do ta shohim si një ndeshje finale.

Rikthehen shumë lojtarë, prandaj mendojmë se do të jetë diçka ndryshe nga ndeshjet e fundit”, mbyll prononcimin Pusi. Pas 22 javësh kampionat, korçarët kanë 17 pikë, ndërsa rivali direkt, Kastrioti, 18. Në luftë për mbijetesën janë edhe Dinamo dhe Egnatia, në një kohë që dy vendet e fundit zbresin direkt nga Superiorja, ndërsa vendi i tetë do të bëjë një ndeshje shtesë për qëndrimin.