Sipas raportimeve nga mediat britanike, por edhe ato spanjolle, interesimi i Liverpool për blerjen e Iker Muniain ka hapur dyert për largimin e futbollistit zviceran me kombësi shqiptare Xherdan Shaqiri.

Referuar të njëjtave burime, sulmuesi Muniain, është subjekt i një ofertë të të Kuqëve për tu transferuar në Anfield, kur kontrata e tij aktuale me Athletic Club të skadojë në fund të sezonit.

I konsideruar si një sulmues i krahut të majtë por i aftë për të luajtur kudo në vijën e sulmit, por edhe në mesfushën e avancuar, Muniain do të përforconte edhe më shumë sulmin e shkëlqyer të Jurgen Klopp, që ishte përmirësuar edhe në fillim të këtij sezoni, me blerjen e verës, Shaqiri, nga Stoke City.

Futbollisti i përfaqësueses së Zvicrës iu bashkua Mohamed Salah, Roberto Firmino dhe Sadio Mane në sulmin e Liverpool. Që kur u bashkua me të Kuqtë, Shaqiri ka luajtur katër ndeshje si titullar, duke realizuar edhe një gol personal, por nëse do të arrihej një marrëveshje me Muniain, sipas të gjitha gjasave, 27-vjeçari me kombësi shqiptare do të kalonte madje në rezervë të dytë.

Referuar “El Gol Digital”, Klopp mund të sakrifikojë Shaqiri për të garantuar blerjen e Muniain, me skuadrën e Real Betis të gatshme për të synuar afrimin në La Liga të ish-futbollistit të Bayern Munich dhe Inter, kur ai të konsiderohet i mundshëm.

Nga ana tjetër, Athletic shpreson ende të mund të rinovojë kontratën me Muniain, që skadon në fund të këtij sezoni, ndonëse 25-vjeçari mund të tundohet nga oferta e Liverpool. Në garë për Muniain mësohet se është edhe Napoli./telesport/