Nga shumë kush pritej të ishte njeriu kryesor i Vllaznisë këtë sezon. Kjo edhe për shkak të performancës që kishte në kupat e Europës. Fjala është për Fahuredin Djurdjević. Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut u afrua në merkaton e verës nga drejtuesit e kuqebluve. Dy golat e tij kundër Siroki Brijeg bënë të ëndërronin të gjithë.

Kjo pasi ishte njeriu që i dha Vllaznisë kualifikimin në Conference League, por u duk se ishte zgjidhja e problemeve në sulmin shkodran. Një gjë e tillë nuk vijoi në kampionat, për shkak se edhe sulmuesi pësoi një dëmtim në fillimin e edicionit. Vetëm 1 gol i shënuar në Superligë kundër Dinamos në fitoren 6-3.

Edhe mbrëmë kundër Kukësit nuk ishte nata e 29-vjeçarit. Ai shpërdoroi 2-3 raste të pastra për gol. Raste që ndikuan edhe në rezultatin përfundimtar të sfidës. Momenti që po kalon ish-sulmuesi i Rabotnickit nuk është një nga më të mirët.

Me siguri ky pushim i këtij fundviti do e ndihmojë Djurdjević të kalojë situatën e tij dhe të rikthehet më i fortë në janar. Të gjithë shpresojnë që numri 9-të të rikthehet tek forma e fillim sezonit dhe tek golat vendimtarë për Vllazninë.
Endri ÇINARI