Renato Malota dhe Alen Sherri ishin dy futbollistët që u penalizuan nga klubi i Laçit pas ndeshjes ndaj Kukësit në javën e tretë, e cila u luajt në stadiumin e Kamzës. Mbrojtësi lezhjan u pezullua pa afat, ndërsa portieri shkodran u ul në stol në takimin e radhës ndaj Tiranës.

Mirëpo, duke parë mungesën e tyre në disa seanca u mendua se ishin larguar përfundimisht nga Laçi. Gjithsesi, Sherri u rikthye i pari në stërvitje dhe mori minuta në miqësoren e pak ditëve më parë kundër Erzenit. “Panorama Sport” mëson se së fundmi në dispozicion të trajnerit Dejan Vukiçeviç është rikthyer edhe qendërmbrojtësi Malota.

Me sa duket palët i kanë sqaruar të gjitha mosmarrëveshjet që lindën pas takimit ndaj Kukësit. Skuadra kurbinase ka vijuar normalisht përgatitjet dhe tashmë pret të bëjë kthesën në kampionat kundër Egnatias, një ndeshje që do të zhvillohet të shtunën në orën 13:45 në Laç.

Situata tek Laçi duket se eshte qetesuar per momentin dhe tashme te gjithe presin rezultatet pozitive sepse ne te kundert, do te jete dikush tjeter qe do ta pesoje serish.